E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Politikanët sjanë njësoj

Kreu socialist shpërndan karta anëtarësie për të rinjtë në qytetin e Korçës dhe të Pogradecit.

Mungon Braçe, të pranishëm Majko, Xhaçka e Veliaj.

Kreu socialist, Edi Rama, ishte dje në Pogradec dhe Korçë, ku ka shpërndarë karta anëtarësie për të rinjtë që janë bërë anëtarë të FRESSH-it. Kryesocialisti u ka bërë thirrje të rinjve të bëhen pjesë e politikës, ndërsa është shprehur se jo të gjithë politikanët janë njësoj. Ne së bashku do ta bëjmë politikën më të mirë. Duhet të fitojmë zgjedhjet për të ndalur rrënimin e mëtejshëm dhe të krijojmë kushte për një rilindje shqiptare. Arsyeja themelore është se politika është fisnike. Politika mund të jetë edhe si kjo që shikoni përditë plot baltë, mllef, dështime, por mund të jetë edhe fisnike. Politika mund të jetë shurdhe, por edhe e kundërta. Nëse politika nuk është e mirë, bëhet pengesë për ëndrrat tuaja, është shprehur Rama para të rinjve.
Kreu i PS më tej e akuzoi qeverinë se ka zhytur duart në batakun e firmosjes së kontratave korruptive për importin e plehrave, që me taksat po mbysin të varfrit. Pushteti lindi duke treguar duart e pastra, por sot dallohet që janë të zhytura në llumin e korrupsionit. Politikanët nuk janë njësoj, si ata që nënshkruajnë të sillen plehrat nga jashtë, nuk është njësoj si të shesësh detin dhe të ngrihesh në këmbë të kundërshtosh me forcë. Një qytetar i mirë thotë jo, plehrat nuk duhet ti sillni, por edhe duhet të pastroni ato që kemi. Ne duam të kemi punësim real, ne duam që prindërit të mos paguajnë taksa. Taksat e sheshta duhet të jenë të njëjta si për qytetarin, edhe ministrin. Politika është e pisët, pushteti që lindi duke treguar duart e pastra, ndërsa sot dallohen 100 metra larg që janë të zhytura deri në rrëzë në llumë dhe kërkon që ti lyejë të gjithë me baltë, u shpreh Rama. Ndërkohë, gjatë takimit me të rinjtë socialistë, Rama është ndalur edhe në çështjen e importit të mbetjeve, duke theksuar se vetëm qytetarët e mirë mund ta ndalin qeverinë në këtë nismë. Qeveria ka zhytur duart në batakun e firmosjes së kontratave korruptive për importin e plehrave, që me taksat po mbysin të varfrit. Vetëm qytetarët e mirë mund ti ndalin qeveritarët, tha Rama. Në takimin e djeshëm në qytetin Korçës, Rama shoqërohej nga deputeti i këtij qarku, Pandeli Majko, nga Olta Xhaçka, nga sekretari për Rininë, Erion Veliaj dhe koordinatorja kombëtare e FRESSH-it, Elisa Spiropali. Edhe dje i deleguari i Kryesisë socialiste, Erjon Braçe, mungonte në Korçë, ndërkohë që ai po merret me punët e partisë dhe të strukturave të saj në qarkun e Beratit. Ndër të tjera probleme, Rama ka folur edhe për dëmshpërblimet e të përndjekurve: Nëse ata (qeveritarët) thonë që përkujdesen për ta duke dëmshpërblyer moshën mbi 85 vjeç, ne, pavarësisht nëse na votojnë ose jo, themi se ata duhet të dëmshpërblehen në moshën 75-vjeç. Puna juaj në qeveri është të bëni vepra, jo fjalë që zvarriten për 22 vjet, duke i çuar njerëzit në varr pa i dëmshpërblyer.

550 të rinj u anëtarësuan dje nga qyteti dhe komunat e Korçës në Forumin Rinor Eurosocialist. Gjatë paradites së djeshme, në një takim të zhvilluar në Pogradec, 520 të rinj morën teserën e anëtarit të FRESSH-it.

Fushata
Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare u vendos shtimi i radhëve të PS me 30% më shumë anëtarë. Duket se këtë aksion e ka marrë në dorë FRESSH dhe kryesisht sekretari i zgjedhur nga Kryesia për çështjet e rinisë dhe emigrantëve, Erion Veliaj. Këtë iniciativë po e mbështet dhe vetë Rama, i cili po shkon në qytetet kryesore për ta nxitur anëtarësimin e ri.

Kryebashkiaku
Në fjalën e tij para të rinjve në qytetin e Korçës, Rama ka vlerësuar punën e bërë nga bashkiaku i këtij qyteti, Niko Peleshi. Korça po ndryshon edhe pse qeveria nuk e ka ndihmuar. Peleshi ka projekte, por i pengon politika, pasi kjo e fundit mban në burg projektet. Duhet të ndryshojë politika. Të merresh me politikë do të thotë të respektohet denjësisht. Duhet një politikë që ti bëjë gjërat ashtu siç duhet. Korça sot drejtohet nga një kryebashkiak që do ta donte çdo qytet, u shpreh Rama.

Korçë/ Dhorjela Demkolli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›