E Diel, 1 Nëntor 2026

Katar, Haxhinasto: Bashkëpunim dhe investime

Ministri i Jashtëm, Haxhinasto

Numri dy i qeverisë, njëherësh Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto u nis sot  për një vizitë zyrtare në Shtetin e Katarit me ftesë të Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Sheikut Hamad Bin Jassim bin Jabir Al Thani.

Sipas ministrisë, në programin e kësaj vizite janë parashikuar takime me lidershipin politik më të lartë të këtij  shteti të Gjirit Persik, si me Emirin e Katarit, Kryetarin e Këshillit Konsultativ të Katarit dhe Kryeministrin e vendit.

Gjatë takimeve me zyrtarët e lartë do të analizohet bashkëpunimi  i deritanishëm midis të dy vendeve si dhe perspektiva e zhvillimit të mëtejshëm të tyre.  Qëllimi kryesor i vizitës është që krahas zhvillimit të marrëdhënieve të shkëlqyera politike që ekzistojnë midis të dy vendeve, të theksohet bashkëpunimi sidomos në fushën e investimeve- thuhet në njoftimin e MJ.

Haxhinasto  dhe delegacioni që e shoqëron do të parashtrojnë disa nga  projektet  më të rëndësishme, ku mendohet se ekzistojnë mundësi për realizimin e një bashkëpunimi me interes të ndërsjellë ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Shtetit të Katarit. Këto projekte  përfshijnë  fusha si  energjetika, infrastruktura rrugore, bujqësia, turizmi si dhe fushën e punësimit.

Në programin e vizitës është parashikuar edhe nënshkrimi i Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Katarit për heqjen e  vizave për  mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe ato speciale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›