E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Porti i ri në Durrës me teknologji të nivelit më të lartë

TIRANË, 8 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se porti i ri në Durrës do të ketë nivelin më të lartë të teknologjisë, duke lehtësuar kështu edhe transportin e mallrave.

Në një takim me përfaqësues të bizneseve të transportit në portin e Durrësit, Rama u ndal te porti i ri, i cili siguroi se do të jetë ultramodern me të gjitha elementet e një porti të standardeve ndërkombëtare që ndërtohet nga e para.

“Nga e para portet përgjithësisht janë ndërtuar dhe ndërtohen jashtë Europës. Në Europë nuk ka të tillë”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur se për ndërtimin e portit të ri qeveria ka marrë një ekspertizë prestigjioze ndërkombëtare.

“Është bërë procesi i seleksionimit të parë. Faza e parë është kryer, në dijeninë time tani hyhet në fazën e dytë për të përzgjedhur fituesin. U bë një rikthim i procesit sepse kërkesat e mbikëqyrësit që kemi janë shumë strikte dhe u kthye gara. Tani ka prodhuar rezultatin dhe tani është faza ku kompanitë që kanë kaluar fazën e parë do të kryejnë çfarë parashikon gara për fazën e dytë”, tha Rama.

Në momentin që del fituesi i garës, kryeministri siguroi se do të bëhet edhe nënshkrimi i kontratës dhe do të fillojë ndërtimi i portit.

“Do të jetë një infrastrukturë krejt tjetër edhe nga pikëpamja e teknologjisë, do të jetë niveli më i lartë i teknologjisë. Nuk do t’i lëmë asnjë gjë mangët atij porti sepse do të ketë sipas gjasave edhe një komponente ushtarake që do të përdoret nga NATO. Kështu që shpresoj që ditët më të mira janë të gjitha përpara edhe për sektorin tuaj”, siguroi Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›