Rama ndan pamjet: Rrethim i befasishëm shqiptarësh në Greqi

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri Rama ndodhet për një vizitë pune treditore (21-23 prill) në Greqi, me ftesë të Forumit Ekonomik të Delfit (DEF XI).
Mbrëmjen e sotme, Rama ndau një video në rrjetet sociale, ku shihen shqiptarë që jetojnë në shtetin grek të cilët ndërsa kanë parë kryeministrin shqiptar kanë kërkuar dhe bërë fotografi.
“Rrethim i befasishëm shqiptarësh në Greqi”, shkruan kryeministri Rama, krahas videos ku shihet i rrethuar nga të rinjtë.
Më herët gjatë ditës së sotme, kryeministri Edi Rama u prit në një takim në Athinë edhe nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Forumi Ekonomik i Delfit, një platformë ndërkombëtare e nivelit të lartë, çdo vit bën bashkë liderë politikë, përfaqësues të biznesit, akademikë dhe ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar sfidat kryesore globale, për të nxitur dialogun ndërkombëtar, për të shkëmbyer ide dhe për të kontribuar në hartimin e politikave që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin rajonal e global.
Gjatë punimeve të Forumit u nënshkrua në një ceremoni të veçantë, Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC) dhe Hellenic Corporation of Assets and Participations S.A.
/m.q/j.p/