E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Procesin ndaj Veliajt do ta ndjekim me kujdes, kemi të drejtë të kërkojmë prova

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, do ta ndjekë me kujdes procesin ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj

I pranishëm në ceremoninë e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës – Kryeqytet i Shqipërisë – Rama u shpreh se, “sot jemi në kushtet kur gjithçka rrezikon të degradojë në një drejtësi aktiviste dhe në këtë hapësirë janë ata që bërtasin: “Gijotinë për të gjithë”, “Hosana”, se nuk ka rëndësi fare a ka prova, a s’ka prova, a është e vërtetë, a s’është e vërtetë. Rëndësi ka që çdokush që merret me politikë, çdokush që ekspozon fytyrën e vet, çdokush që i vihet në dispozicion kësaj pune është një kriminel, një hajdut që duhet varur në litar”.

Dhe nga ana tjetër, shtoi Rama, “janë armiqtë e reformës në drejtësi, që çdo ditë, çdo natë sulmojnë prokurorët e SPAK-ut dhe gjykatësit e Gjykatës Speciale”.

“Këto janë dy ekstreme. Ne nuk mund të jemi as tek njëri, as tek tjetri ekstrem dhe ne nuk mund ta lëmë më këtë boshllëk, por duhet të kërkojmë përgjegjshmëri. Jo duke e thënë ne se kush është fajtori dhe kush është i pafajshëm, por duke kërkuar përgjegjshmëri”, theksoi Rama.

“Nëse Erion Veliaj dhe e shoqja kanë blerë 800 e kusur mijë euro fustane dhe bizhuteri, ne nuk kemi çfarë diskutojmë fare, por ama ne kemi të drejtën të kërkojmë provat. Dhe ne kemi të drejtën të themi që ndërkohë, hedhja e kësaj shifre në mexhelis është absolutisht e qëllimshme për të ekzaltuar masën që kërkon gjak, dhe nga ana tjetër për të krijuar një situatë ku të jetë e pamundur që të diskutosh”, tha Rama.

Gjithsesi, shtoi Rama, “për të gjitha këto ne do ta ndjekim me shumë kujdes këtë proces”.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›