Ristani: Puna për të zhvilluar Tiranën nuk do të ndalet

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Në rastin e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë, mbrëmjen e së martës në Pallatin e Brigadave u organizua ceremonia e rastit me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama.
Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani foli për zhvillimet që kanë transformuar kryeqytetin, ndërsa nënvizoi se puna për të zhvilluar Tiranën nuk do të ndalet.
“Kushdo qofshim ne, puna ngelet pas. Kryeministri ka qenë pranë nesh në këto orë të vështira, dhe do ta marrim sërish ritmin e humbur. Kjo goditje e befasishme do të na motivojë më shumë”, tha ajo.
“Nuk do ta kishim mbushur boshllëkun që ndiejmë pas një dekade pune intensive dhe pa u lodhur, ajo që kemi bërë nuk përputhet si është pikturuar 24 orët e fundit. Na duket sikur jemi në një ëndërr të keqe dhe na duket sikur do zgjohemi në atë sallë ku ndanim detyra ditën e djeshme. Tirana është më e madhe se ne. Është puna që ngelet pas. Në fund del dhe diçka tjetër, e vërteta. Detyra jonë, është të vazhdojmë ta bëjmë Tiranën edhe më të fortë. Falënderojmë kryeministrin dhe me ndihmën e qytetarëve të Tiranës do marrim në dorë sfidën. Më lejoni të lexoj atë që kryetari do kishte ndarë me ju”, u shpreh Ristani.
/r.e/a.f/