Rama – prindërve: Vota e hedhur për “kënetën”, është votë kundër fëmijëve tuaj

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, nga takimi i sotëm i prezantimit të kandidatëve për deputetë të qarkut të Elbasanit, ritheksoi rëndësinë e votës së shqiptarëve në 11 maj, që sipas Ramës duhet të orientohet drejt numrit 5 jo për t’u bërë socialistë, por sepse vota për Partinë Socialiste është në interes të të gjithëve.
Duke iu drejtuar nga ky aktivitet, prindërve që kanë fëmijë të moshave nga 14 deri 18 vjeç dhe po projektojnë studimet dhe të ardhmen akademike të fëmijëve të tyre, se nëse ata duan të çojnë me studime jashtë fëmijët e tyre, por nuk votojnë PS sepse janë demokratë, Rama tha se “kjo qasje është njësoj si ta marrësh votën dhe ta zhysësh në “kënetë”, te bufi dhe te bretkosat”.
“Ndërkohë, që duhet ta çosh votën pikërisht aty në mes të fletës është 5, jo për t’u bërë socialistë, as për t’u bërë me PS, por për ta përdorur PS, siç përdori populli shqiptar PD në ’92 kur masivisht shkoi i dha votën PD, jo se e donin Partinë Demokratike – një pjesë e madhe as nuk donin ta shihnin me sy – por ishte aty mjeti i duhur në kohën dhe vendin e duhur për t’u ndarë njëherë e mirë, përgjithmonë, nga sistemi i kaluar dhe nëse për socialistët vota për PS është përkatësi, për të gjithë të tjerët vota te kutia e PS është thjesht interes”, tha Rama.
“E kundërta, vota e marrë e hedhur në “kënetë” është një budallallëk, është votë kundër fëmijëve të tu. Je një fermer, jeton në fshat, je i djathtë dhe nuk do 300 milionë euro në vit nga BE se do kënetën dhe bufin? Ti qofsh!
Dhe duhet ta dinë mirë të gjithë ata që nuk e kanë mendjen të votojnë për të. Këtu nuk është çështja që ne rrezikojmë të mos fitojmë, nuk po i lutemi se ne do humbasim zgjedhjet, nuk është kjo fare, se ne sikur të gjithë siç jemi të ikim në shtëpi dhe t’i bëjmë një telefon njëri-tjetrit, në 12 maj nuk fitojnë ata. Problemi është që na duhet një mbështetje e fuqishme për t’i thënë Evropës dhe që populli shqiptar u bashkua si asnjëherë më parë, i kapërceu llogoret e partive se do të vijë këtu, ta nguli flamurin e Skënderbeut këtu, t’i japi fund të qenit popull i kategorisë së dytë”, vijoi Kryeministri Rama.
Sipas kreut të ekzekutivit, “shqiptarët nuk mund të shkojnë në aeroporte dhe të dalin nga dera tjetër e t’ju thuhet prisni ju se ka kontroll se do dalin këta të tjerët”, ndaj sipas Ramës vota në 11 maj është shumë e qartë.
“Punët për Elbasanin, Belshin, Gramshin, Peqinin, Përrenjasin, Librazhdin, Cërrikun vazhdojnë. Ne kemi bërë plot dhe do bëjmë plot të tjera. Janë kantiere të hapura, ndërsa Elbasani si qark bëhet një nyje shumë e rëndësishme, sepse kalon Korridori 8 dhe të tjera vepra të tjera infrastrukturore”, tha Rama.
/r.e/