Rama: Qendra e Monitorimit të Trafikut, me kamera të fjalës së fundit të Inteligjencës Artificiale

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot në konferencën e fundvitit me gazetarët se qeveria shqiptare është në prag të nënshkrimit të një marrëveshjeje me Emiratet e Bashkuara Arabe, për implementimin e survejimit të trafikut me kamera.
Rama theksoi se Qendra e Monitorimit të Trafikut është nyja teknologjike e transportit në sensin digjital.
“Ajo që është qershia mbi tortë, është Qendra e Monitorimit të Trafikut (QMT). QMT është nyja teknologjike e transportit, teknologjike në sensin digjital, jo në sensin e hekurave. QMT do te jetë e pajisur me sistemin më të avancuar në botë të monitorimit te trafikut Sistem për të cilin kemi punuar dhe jemi në prag të nënshkrimit të marrëveshjes konkrete me qeverinë e Emirateve të Bashkuara, me të cilën do të bëjmë një implementim të shpejtë të një sistemi survejimi të trafikut me kamera, por kamerat do të jenë të pajisura me fjalën e fundit të IA”, vuri në dukje ai.
“Çdo makinë, çdo person, çdo lloj gjallese tjetër që do të kryqëzojë apo do të kapërcejë rrugën, do të jetë në kohë reale i monitoruar dhe këto shpejtësitë, aksidentet, por njëkohësisht edhe për të gjitha makinat do të mund të identifikohet nga qendra e trafikut se kush e ka bërë sigurimin, kush se ka bërë sigurimin, kush e ka targën e duhur, e kështu me radhe. Ky hyn patjetër edhe një element shumë i rëndësishëm në forcimin e rendit publik dhe ligjor dhe në luftën kundër kriminalitetit nuk diskutohet”, tha Rama. /j.p/