Rama: Qeveria po përdor administratën për fushatë
Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë se po përdor administratën publike për fushatëne saj elektorale. Në një bashkëbisedim me gazetarët kreu i opozitës Rama ka theksuar se po bëhet përpjekje për të organizuar në mënyrë të paligjshme rrogëtarët e shtetit në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 8 majit.
“Po mësyhet mbi administratën që nga ministritë dhe deri tek trupat mësimore ku u kërkohet informacione shumë të çuditshme mbi kartën e identitetit mbi vendbanimin që krijojë shqetësim në këtë fazë ku ndodhemi” theksoi Rama.
Gjithashtu kreu i opozitës theksoi Partia Socialiste ka gjetur një sërë shkeljesh në hartimin e listave zgjedhore dhe nesër do t`i bëjë publike ato.
“Vazhdon mungesa e transparencës me procesin e përgatitjes të listave. Ekipi i ekspertëve që është ngarkuar me këtë çështje informon dhe nesër do t`i bëjmë publike gjetjet e hetimet për listat që janë shqetësuese” theksoi Rama.
Ai gjithashtu theksoi se zgjedhjet e 8 majit janë një proces i pagarantuar duke theksuar se gjatë takimeve me ndërkombëtarët, iu ka prezantuar atyre shqetësimet që kanë të bëjnë me domosdoshmërinë e garantimit të procesit zgjedhor.