E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Reforma në drejtësi është rrugë pa kthim

TIRANË, 17 shkurt /ATSH-Maela Marini/ – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se transformimi i sistemit të drejtësisë është një proces i pakthyeshëm, pavarësisht sfidave dhe kostove që ai sjell.

Gjatë prezantimit të drejtorit të ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa, Rama u shpreh se Shqipëria po jeton një fazë historike të dy revolucioneve paralele: atij digjital dhe atij në sistemin e drejtësisë.

Sipas tij, ashtu si revolucioni digjital që synon ta vendosë teknologjinë në shërbim të qytetarëve dhe sipërmarrjes, edhe reforma në drejtësi është një proces i domosdoshëm, por shumë më i ashpër dhe i dhimbshëm.

“Revolucioni i transformimit të sistemit të drejtësisë nga një kalbësirë të gjallë, në një sistem drejtësie të drejtë, të barabartë dhe funksional është në zhvillim. Jemi shumë larg prej kësaj të fundit, por rruga është pa kthim”, u shpreh Kryeministri.

Ai theksoi se, ndryshe nga bota digjitale ku dështimet janë thjesht fikje programi apo ndërprerje sistemi, në reformën në drejtësi pasojat prekin jetët e njerëzve.

“Nuk është një kompjuter që fiket, është një jetë njeriu që vendoset në një pozitë aspak të admirueshme kur është i pafajshëm”, tha Rama, duke shtuar se aktualisht procesi shoqërohet me një element dramatik: dominimin e prezumimit të fajësisë mbi atë të pafajësisë.

Sipas tij, në një shtet të së drejtës, çdo individ duhet të prezumohet i pafajshëm, por në këtë fazë të tranzicionit shpesh ndodh e kundërta, çka krijon tension dhe pasiguri, veçanërisht për administratën publike.

Rama e cilësoi këtë si një moment të vështirë, duke iu drejtuar edhe punonjësve të AKSHI-t, për të cilët tha se puna në botën digjitale është shumë larg përballjes me “brutalitetin e jetës reale” që shoqëron proceset hetimore.

Megjithatë, Kryeministri u shpreh i bindur se në fund drejtësia do të triumfojë.

“Kush nuk ka bërë faje, nuk duhet të ketë asnjë frikë dhe nuk duhet të humbasë për asnjë moment ekuilibrin dhe qetësinë. Në fund, e drejta del. Ka një kosto, patjetër, por del”, përfundoi Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›