Rama: Regjistrimet audiovizuale të intervistave kërkesë e KiE, mbrojtje ndaj intimidimit

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, historia tregon sesi antikorrupsioni kur del nga shinat mund të bëhet më i rrezikshëm se vetë korrupsioni.
Në një bashkëbisedim online me qytetarët në rubrikën “Sy m’sy”, Rama foli për një raport të Komitetit për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Evropës.
“Përpara dy vitesh, në Shqipëri na ka ardhur një delegacion i Komitetit për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Evropës. Ka një Komitet për Parandalimin e Torturës dhe na ka ardhur me një raport alarmant. Ne Shqipëria, që duam të futemi në BE. Në BE futesh duke luftuar korrupsionin patjetër dhe prandaj SPAK-u ka pasur, ka dhe do të ketë të gjithë mbështetjen time të padiskutueshme, por për të luftuar korrupsionin ama, me prova. Korrupsionin, jo për të marrë peng kryetarin e bashkisë së Tropojës dhe për ta mbyllur brenda se dyshohet se ka firmosur që të pritet pylli. Ku jemi këtu ne? Apo siç ndodhi se tani ka mbaruar ka marrë vendimin e formës së prerë, kryetari i bashkisë së Fushë-Arrëzit, preu pyllin për të bërë rrugë për komunitetin, që e kërkonte gjithë komuniteti atje dhe preu pyllin dhe bëri burg, kryetari i bashkisë”, tha Rama.
Rama citoi raportin e vitit 2023 të Komisionit për Parandalimin e Torturës.
“Shqipëria vazhdon të ketë një nga nivelet më të larta në Këshillin e Evropës, pra jo në BE, por në Këshillin e Evropës, përfshin gjithë Evropën deri në Azerbajxhan dhe në Armeni, ishte dhe Rusia, por u përjashtua pas agresionit, për paraburgimin. Si mund të jetë kjo kështu? Domethënë në BE as nuk bëhet fjalë?”, u shpreh Rama.
“Ato që dalin atje Këshilli i Lartë Gjyqësor që më vjen mirë që i dëgjova zërin njëherë se s’ia kisha dëgjuar zërin dhe që kanë këtu në buxhetin e tyre një numër punonjësish, KLGJ prej 594 punonjësish, pra janë rritur 594 punonjës dhe numri i përgjithshëm i punonjësve ka shkuar mbi 2000 veta. Në mos gabohem. Dhe mirë bëjnë ata që flasin, trysnia”, u shpreh Rama.
“Po çfarë thashë unë. Unë fola për paraburgimin e ka thënë KiE, Komiteti për Parandalimin e Torturës. E dyta ka thënë “siç Komiteti ka nënvizuar në të kaluarën, regjistrimet audio vizuale të intervistave me personat që pyeten përbëjnë një mbrojtje të rëndësishme kundër keqtrajtimit, intimidimit dhe në princip ato duhet të mbulojnë të gjitha fazat e pyetjes së personave. Dhe Komiteti për Parandalimin e Torturës e inkurajon Shqipërinë që të shtrijë regjistrimin audio vizual në të gjithë personat e ndaluar. E kuptoni tani. S’e them unë. Ky është KiE, është standard demokratik”.
“Si mund të kemi ne akoma kur ndërkohë kemi bërë një reformë me një mbështetje masive të drejtësisë së re, me një personel, të institucioneve të reformës në drejtësi që ka shkuar në 3342 punonjës, këtu përfshihet edhe KLGJ. Pra 3342 punonjës që paguhen nga buxheti i shtetit shqiptar dhe në vitin që lamë i janë akorduar 1.2 miliardë”, theksoi Rama.
“Tani çfarë duhet të bëjmë ne të pranojmë që akoma të merren dëshmitë me orë të tëra dhe në fund të të japin 5 fletë aty të thonë firmosi. Këtë duhet të pranojmë ne. Të të japin 5 fletë dhe të të thonë firmosi pasi të intimidojnë, të të thonë ku të punon babai e të të thonë lloj-lloj gjërash e të të ndalojnë në rrugë me një fëmijë 3 vjeç me karrocë duke e çuar në çerdhe a kopsht, hajde me ne. Si mos flasim për këto ne. Çfarë lidhje kanë këto me sulme. Këto nuk janë sulme, këto janë thirrje për standarde”, u shpreh Rama.
Sepse, shtoi kreu i qeverisë, “Study History” do të thotë i kemi parë këto në të kaluarën ne dhe historia edhe e vendeve të tjera tregon sesi antikorrupsioni kur del nga shinat mund të bëhet më i rrezikshëm se vetë korrupsioni për shtetin dhe për mirëqenien psikologjike të njerëzve dhe të qytetarëve, të atyre që punojnë në shtet, të atyre që janë në biznes. Si qenka kjo merren sipërmarrësit dhe vihen në rresht parakalojnë sikur janë kriminelë. Kaq kollaj qenka kjo. Po ata janë njerëz që kanë qindra e qindra e mijëra punëtorë që paguajnë, mbajnë familje. Si qenka kjo iu merren njerëzve telefonat dhe iu mbahen telefonat peng. Çfarë standardi demokratik është që ti i merr telefonin tjetrit dhe i sheh gjithçka që ka brenda dhe madje bën edhe shantazhe, insinuata për komunikime që mund të jenë tërësisht intime”, tha Rama. /j.p/