E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Hoxha: Në vitin 2024, numri më i ulët i veprave penale gjatë 10 viteve të fundit

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha zhvilloi sot një interpelancë me deputetin e Partisë Demokratike Asllan Dogjani në lidhje me punën e Policisë së Shtetit dhe situatën e krimit në vend.

Nga foltorja e Kuvendit, ministri Hoxha duke iu referuar shifrave tha se se “ka një rënie progresive të vrasjeve nga vit duke shënuar një rekord të minimumit historik gjatë dy viteve të fundit”.

“Në vitin 2024 kemi pasur 41 vrasje në vit dhe në 2023 rekordi i të gjitha kohërave, 35 vrasje në vit kundrejt 126 vrasjeve të ndodhura në 2012. Kjo është diferenca e shifrave për të gjithë shqiptaret që na ndjekin”, tha ministri.

“Sa i takon zbulueshmërisë së kësaj vepre penale për vitin që lamë pas deri në këto momente janë 86% e veprave penale, vrasje me dashje dhe 94% e rasteve të veprës penale vrasjen e mbetur në tentativë”, u shpreh ai.

“Gjatë vitit që lamë pas është regjistruar numri më i ulët i veprave penale të ndodhur gjatë 10 viteve të fundit duke shënuar një rënie 2 % krahasuar me mesataren e dy viteve të fundit dhe rënie 8% krahasuar me mesataren e 3 viteve të fundit”, tha Hoxha.

“Nuk do të marr shumë kohë me të dhëna numerike, pasi në fund të fundit, jemi duke folur për jetë njerëzish dhe nuk mund të bëjmë politikë me këto jetë. Por kjo nuk do të thotë se mund të baltoset kaq lehtë puna e Policisë së Shtetit, e mijëra profesionistëve që punojnë natë e ditë me përkushtim ndaj detyrës dhe në zbatim të ligjit”, tha Hoxha.

“Pavarësisht se shifrat flasin vetë, padyshim ato nuk dëshmojnë çrrënjosjen përfundimtare të kriminalitetit në vendin tonë, sepse historia ka treguar që kjo është diçka e pamundur, edhe për shoqëritë e vendeve më të zhvilluara europiane”, tha ministri i Brendshëm.

Analizuar në aspektin social, sipas tij, pjesa dërrmuese e vrasjeve të ndodhura kohët e fundit është karakterizuar nga shkaqe për motive të dobëta, kryesisht për debate të momentit.

“Për këtë qëllim, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë adresuar një vëmendje të shtuar ndaj sigurisë në komunitet, duke fuqizuar mekanizmat lokalë të sigurisë, përfshirë këtu ngritjen dhe konstituimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Komunitet dhe Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike”, tha ai.

“Nga ana tjetër, fatkeqësisht vërej se prirjet për të ekzagjeruar dhe konstatimet dashakeqe dhe të rreme lidhur me sigurinë në vend, kanë qëllimin e vetëm të tentojnë të eklipsojnë rezultatet e arritura gjatë këtyre 11 viteve”, u shpreh Hoxha.

Duke iu drejtuar opozitës, Hoxha tha se “në kohën kur ju e qeverisnit këtë vend, vritej një qytetar afërsisht çdo dy – tre ditë, duke mos lënë kohë për të stërholluar detaj pas detaji secilën ngjarje”.

Hoxha risolli edhe disa të dhëna të anketës së zhvilluar nga kompania IDRA.

Ai tha se ky studim nxori në pah se: 82% e qytetarëve shqiptarë të anketuar, deklaruan se ndihen të sigurt ose shumë të sigurt, ndërkohë që në vitin 2013 e njëjta anketë nxori në pah se 63% e qytetarëve ndiheshin të sigurt; rreth 70% e tyre nuk shqetësohen kurrë për mundësinë e vjedhjes së shtëpisë së tyre, ndërkohë që në vitin 2013 vetëm 40% e qytetarëve nuk e kishin këtë shqetësim; 78% e qytetarëve të anketuar nuk kanë shqetësimin se mund të bëhen viktima të krimit të dhunshëm, ndërsa në vitin 2013 vetëm 50% e qytetarëve nuk i druheshin kësaj mundësie; 65% e të anketuarve e vlerësojnë punën e Policisë së Shtetit si “të mirë” ose “shumë të mirë”, ndërsa në vitin 2013 vetëm 36% e vlerësonin pozitivisht punën e Policisë së Shtetit.

-Gjatë vitit që sapo lamë pas, vetëm 4% e qytetarëve të anketuar ose anëtarëve të familjes së tyre kanë qenë viktima të një vjedhjeje ose sulmi fizik në 5 vitet e fundit, kundrejt 11% e qytetarëve të anketuar në vitin 2013.

Hoxha informoi se Ministria e Brendshme është duke përmbyllur të gjitha aktet nënligjore që rrjedhin nga ligji i ri “Për Policinë e Shtetit”, një ligj që vendos në qendër të tij qytetarin e që përvetëson standardet, modelet dhe parimet më të mira europiane në fushën e rendit dhe sigurisë publike.

Nga ana tjetër, sipas tij, Policia e Shtetit shumë shpejt do të implementojë projektin qeveritar “Smart City”, një projekt, që do të mbështetet në një infrastrukturë digjitale moderne, në inteligjencën artificiale dhe në ekspertizën më të mirë të profesionistëve të kësaj fushe.

“Shtrirja e këtij projekti në 20 qytetet kryesore të vendit, do të mundësojë identifikimin në kohë reale të autorëve të ngjarjeve kriminale, të shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor si dhe të rreziqeve të natyrave të tjera”, përfundoi Hoxha. /j.p/

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, foto: Florian Abazaj 1 nga 2

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›