E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Rrisim sërish pagat në sektorin publik, sot mesatarja 1030 euro

TIRANË, 20 mars /ATSH/ Qeveria synon rritjen e mëtejshme të pagave në sektorin publik.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë sot me ndjekësit në rrjetet sociale, përmes rubrikës “Sy m’sy”, Kryeministri Edi Rama tha se “paga mesatare në sektorin publik është 1030 euro dhe do të ngrihet edhe më shumë”.

Kryeministri deklaroi se, “paga mesatare e përgjithshme (kombinuar sektori publik dhe ai privat) në Shqipëri, referuar INSTAT, është 830 euro. Ndërsa paga mesatare në sektorin publik është 1030 euro dhe do të ngrihet edhe më shumë”.

Sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto, gjatë tremujorit të katërt 2024 arriti 83 401 lekë, duke u rritur me 11,2%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë ato financiare dhe të sigurimit si dhe teknologjia e informacionit dhe komunikacioni.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2024 paga mesatare bruto në aktivitetin e ndërtimit, ka rritjen më të madhe prej 14,9%, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti informacioni dhe komunikacioni prej 5,9%.

Fondi i pagave është rritur më shumë se dy herë përgjatë kësaj dekade dhe se në 2025-ën ai shkon në 1,3 miliardë euro.

/r.e/ /a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›