E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Aksident në Fushë-Prezë, vdesin 4 të rinj

TIRANË, 20 mars /ATSH/ Një aksident me pasojë vdekjen e 4 të rinjve ndodhi pak para mesnate në Fushë-Prezë, Tiranë.

Siç njoftoi Policia e Tiranës, “më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në Fushë-Prezë, shërbimi i qarkullimit rrugor konstatoi një automjet i cili kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një automjet betoniere”.

Policia bëri të ditur se “hetimet e kryera me qëllim zbardhjen e ngjarjes rezultoi se automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 25 vjeç dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga shtetasi A. K., 24 vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes”.

Sipas Policisë si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit E. L., 25 vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij E. L., 20 vjeç, E. K., 24 vjeç dhe A. L., 22 vjeç.

“Në vijim të veprimeve u shoqërua për veprime të mëtejshme drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi A. K, 24 vjeç”, njoftoi Policia.

Policia informoi se “në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 24 vjeç, drejtuesi i automjetit betoniere, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

“Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në segmentin rrugor ”Vorë – Fushë Krujë”, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. L., 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonieren me drejtues shtetasin A. K. (pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh), që kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja”, njoftoi policia.

Në pranga ka rënë edhe “V. K., 25 vjeç, i afërm i 24-vjeçarit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i aksidentit, 24-vjeçarin”.

Policia ka arrestuar edhe shtetasin “D. K., 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi A. K., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh”.

Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç. Punohet për kapjen e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/r.e/ /a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›