E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Rruga e LMN-së e njëjtë me të Berishës

Kryetari i PS-së, Edi Rama, u shpreh se opozita nuk heq dorë nga hetimi i plotë për zgjedhjet

Presidenti Bamir Topi është shprehur pro negociatave, ndërkohë që ju i qëndroni idesë për hapjen e kutive dhe Berisha në anën tjetër e ka dhënë qëndrimin mbi këtë kërkesë. A janë këto negociata të dështuara që pa filluar ende?

Unë jam shprehur qartë pa asnjë ekuivok se jam i gatshëm të ulem në tryezën për dialog që do zgjidhë krizën politike. Ndërkohë që nga ana e palës tjetër nuk ka asnjë sinjal të qartë publik për dialogun, por vetëm fjalë dhe fjalë.

Të cilat synojnë nga njëra anë të krijojnë idenë e gatishmërisë për dialog dhe nga ana tjetër fshehin pavendosmërinë e plotë, mungesën e qartë të vullnetit, për të hapur një dialog dhe për të zgjidhur këtë krizë politike.

Unë uroj që ta zgjidhim përmes forcës së arsyes. Jam i bindur se populli i opozitës do ta zgjidhë me apo pa Sali Berishën.

Kryeministri kërkon respektimin e vendimit të gjykatës, ndërkohë që ju thoni se me kërkesën tuaj nuk e prekni këtë vendim. Si qëndron e vërteta?

Sali Berisha është njeriu i fundit në Shqipëri që duhet të flasë për Kushtetutën, pasi e ka shkelur atë 30 herë dhe 16 shkelje të tij janë provuar nga Gjykata Kushtetuese dhe në fakt janë 16 atentate që janë anuluar nga kjo gjykatë.

Nga ana tjetër kërkesa jonë për hapjen e kutive nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me vendimin e saj, të cilit i referohet në mënyrë spekulative dhe të gënjeshtërt Sali Berisha, por ka të bëjë me të drejtën kushtetuese dhe ligjore të parlamentit për të hetuar çdo çështje të veçantë. Dhe kjo është një çështje e një rëndësie kombëtare, e një rëndësie strategjike e një rëndësie atdhetare.

Është çështja e lirisë dhe ndershmërisë së zgjedhjeve, të cilën parlamenti mund ta hetojë jo për të përmbysur pushtetin në tavolinën e hetimit, por për t'i dhënë fund korrupsionit elektoral, për të çuar përpara drejtësisë, të gjitha ata që fusin duart në procesin elektoral, në rast se kjo vërtetohet nga hetimi.

Nga ana tjetër, për të bërë ndryshimet e nevojshme legjislative, të cilat do të burojnë drejtpërdrejtë nga një analizë e thellë, që do të vijë si pasojë e hetimit.

T'i lëmë spekulimet, të ulemi për të zgjedhur krizën, t'i hapim kutitë, t'i japim fund një epokë të shëmtuar, që na mban të ndarë jo vetëm nga Europa, por dhe nga rajoni ku jetojmë ku askush nuk bën zgjedhje të tilla të turpshme dhe të hapim bashkë një epokë të re, epokën e Shqipërisë evropiane, duke filluar nga procesi i lirë dhe i ndershëm zgjedhor, ku populli voton, numëron dhe gjykon sesi ky proces është zhvilluar.

A mund të përfshijë kompromisi edhe zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe ata të Gjykatës Kushtetuese që u mbaron mandati tani apo do të fokusoheni vetëm tek zgjedhjet?

Në mënyrë që këto detyrime të zbatohen në funksion të interesit të vendit është e domosdoshme të çmontohet mekanizmi keqbërës i zgjedhjeve në Shqipëri dhe t'i hapet rrugë një procesi demokratik, i cili padyshim zhvillohet në parlament, por duke konsideruar faktin e thjeshtë se parlamenti vlen si një ballafaqim mes forcave të ndryshme përfaqësuese të popullit, për aq kohë sa vota e popullit që i shikon shfaqjet demokratike të parlamentit nuk e ka humbur fuqinë e saj.

Në momentin kur vota e humbet fuqinë e saj për shkak të marrjes peng të procesit zgjedhor, popullit i takon të rimarrë fuqinë në dorë.
Ka disa deputetë të PS-së që kanë kërkuar të bëjnë një aksion politik duke iu kundërvënë linjës zyrtare...

Nuk besoj se ka sot ndonjë qytetar të këtij vendi, aq më pak ndonjë opozitar, që të ketë nevojë për shpjegime në këtë pikë. Rruga e tyre nuk përputhet gjëkundi me të PS-së dhe për fat të keq konvergon plotësisht me rrugën e Sali Berishës dhe këtij pushteti, që ka grabitur zgjedhjet për të vazhduar të grabisë Shqipërinë.
Marrë nga Top-Channel

Reagon PS: Dosjet duhet të hapen, por përmes një ligji të ri

Rrëzimi i dosjeve, Ligori: Ky ishte atentati i 17 i Berishës

TIRANË - Partia Socialiste reagoi dje ndaj akuzave të mazhorancës për ligjin e pastërtisë së figurave. Sipas deputetes së kësaj partie, Shega Ligori, akuzat e mazhorancës ndaj opozitës, për ligjin e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, janë një akt i turpshëm, pasi, sipas saj, ky ishte një ligj i kundërshtuar jo vetëm nga opozita, por edhe nga institucionet ndërkombëtare si Këshilli i Europës. Deputetja e selisë rozë tha gjithashtu se rrëzimi i këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese, konfirmoi atentatin e Kryeministrit Berisha ndaj saj.

"Sot, në më pak se një javë, Sali Berisha shënoi një tjetër rekord të turpshëm në historinë e demokracisë shqiptare, një rekord të denjë për një vend si Venezuela, por jo për Shqipërinë që kërkon të integrohet në Europë.

Sot Gjykata Kushtetuese certifikoi atentatin e 17-të të Sali Berishës ndaj Kushtetutës duke hedhur poshtë në unanimitet ligjin për pastërtinë e figurave, një ligj ky i kundërshtuar jo vetëm nga Partia Socialiste, por edhe nga Komiteti i Helsinkit dhe nga Këshilli i Europës", - tha Ligori.

Deputetja e PS-së u shpreh se, grupimi politik ku ajo bën pjesë është i gatshëm që të ndihmojë në ndërtimin e një ligji të ri për dosjet e ish-regjimit komunist, por e gjitha kjo duhet të bëhet sipas Kushtetutës dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

"Dosjet duhet të hapen, por përmes një ligji të ri për të cilin Partia Socialiste është e gatshme të japë kontributin e saj; një ligj i ri i cili në radhë të parë duhet të respektojë Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Sepse Sali Berisha duhet ta dijë se hetimi i krimeve të së shkuarës nuk mund të bëhet për të larë mëkatet e së tashmes", - u shpreh ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›