E Diel, 1 Nëntor 2026

Sipas deputetes, shumica do të bëjë një ligj të ri për në Parlament

Ligji i lustracionit, Doda: Mazhoranca do të bëjë referendum

"Mbi gjykatësit rëndojnë krime kundër njerëzimit"

TIRANË- Rrëzimi i ligjit të lustracionit nga Gjykata Kushtetuese, ka sjellë edhe reagimin e mazhoranës. Sipas deputetes së Partisë Demokratike, Mesila Doda, shumica në pushtet do të iniciojë nismën e një referendumi popullor për të sjellë në fuqi këtë ligj.

Gjithashtu, sipas deputetes së selisë blu, mazhoranca do të paraqesë një ligj të ri në Parlament që lidhet me pastërinë e figurave politike. Gjatë një konference për shtyp, Doda theksoi se mazhoranca do ta dërgojë këtë ligj edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në Strasburg.

"Së pari, paraqitja e një ligji të ri në Parlament, per pastertine e figurave te shtetit shqiptar. Së dyti, dergimi i këtij ligji në Gjykatën Europiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ju bëj me dije gjithashtu se së bashku me kolegë të tjerë nuk do të ngurrojmë që të ndërmarrim nismën e një referendumi popullor për këtë cështje madhore, në mënyrë që xhelatët të mos qëndrojnë më në pushtet dhe që Shqipëria të ndahet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e saj komuniste", - tha dje Doda.

Ajo hodhi akuza në drejtim të opozitës si dhe liderit të saj, Edi Rama, duke e cilësuar këtë të fundit, si shkaktarin kryesor për rrëzimin e ligjit të lustracionit nga Gjykata Kushtetuese. Sipas saj, opozita ka ushtruar presion mbi këtë gjykatë për të marrë këtë vendim.

"Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin per pastërtine e figurave te shtetit shqiptar, kjo edhe falë presionit politik të opozitës dhe personalisht të Edi Ramës ndaj kësaj trupe gjykuese. E cilësoj këtë si aktin me te rëndë në mbështetje te krimeve te renda kundër njerzimit te sistemit komunist, krime të cilat janë kryer sistematikisht në këtë vend për 50 vjet rresht", - u shpreh ajo.

Sipas Dodës, me këtë vendim është dhunuar direktiva e Gjykatës së Strasburgut. Ajo shtoi se, mbi gjykatësit që kanë dhënë këtë vendim, rëndojnë krimet kundër njerëzimit. "Vendimi i gjykatës Kushtetuese është në dhunim flagrant të direktivës së 23 qershorit 2008 te Gjykatës së Strasburgut mbi konfliktin e interesit të trupave gjykuese dhe të parimit universal të konfliktit të interesit.

Gjykatësit që votuan për abrogimin e ligjit janë po ata që kanë marrë vendime për vrasje njerzish të pafajshëm deri në vitin 89', janë po ata mbi të cilët rëndojnë krimet më të rënda kundër njerzimit",- nënvizoi deputetja e PD-së.

Rrëzimi i ligjit të lustracionit, Ligori: Konfirmoi anetantin e 17 të Berishës

TIRANË- Partia Socialiste reagoi dje ndaj akuzave të mazhorancës për ligjin e pastërtisë së figurave të shtetit shqiptar.

Sipas deputetes së kësaj partie, Shega Ligori, akuzat e mazhorancës ndaj opozitës, për ligjin e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, janë një akt i turpshëm, pasi sipas saj, ky ishte një ligj i kundërshtuar jo vetëm nga opozita por edhe nga institucionet ndërkombëtare si Komiteti i Helsinkit dhe Këshilli i Evropës.

Deputetja e selizë rozë tha gjithashtu se rrëzimi i këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese, konfirmoi antetatin e Kryeministrit Berisha ndaj saj. "Sot, në më pak se një javë, Sali Berisha shënoi një tjetër rekord të turpshëm në historinë e demokracisë shqiptare, një rekord të denjë për një vend si Venezuela, por jo për Shqipërinë që kërkon të integrohet në Europë.

Sot Gjykata Kushtetuese çertifikoi atentatin e 17 të Sali Berishës ndaj Kushtetutës duke hedhur poshtë në unanimitet ligjin për pastërtinë e figurave, një ligj ky i kundërshtuar jo vetëm nga Partia Socialiste, por edhe nga Komiteti i Helsinkit dhe nga Këshilli i Evropës", - tha dje Ligori.

Deputetja e PS-së u shpreh se grupimi politik ku ajo bën pjesë është i gatshëm që të ndihmojë në ndërtimin e një ligji të ri për dosjet e ish-regjimit komunist, por e gjitha kjo duhet të bëhet sipas Kushtetutës dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

"Dosjet duhet të hapen, por përmes një ligji të ri për të cilin Partia Socialiste është e gatshme të japë kontributin e saj; një ligj i ri i cili në radhë të parë duhet të respektojë Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Sepse Sali Berisha duhet ta dijë se hetimi i krimeve të së shkuarës nuk mund të bëhet për të larë mëkatet e së tashmes",- u shpreh ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›