Ish-pronarët, krijohet me ligj fondi i kompensimit
Qeveria vendos me ligj mënyrën e krijimit të fondit financiar, menaxhimin dhe shpërndarjen e tij
TIRANË - Qeveria krijon fondin special për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Nuk bëhet fjalë për një shumë konkrete, por për burimet nëpërmjet të cilave do të realizohen të ardhurat që do të përdoren si një buxhet më vete për kompensimin e pronarëve, jo vetëm të atyre të shpronësuar gjatë sistemit komunist, por edhe të rinjve, të cilët janë detyruar të lënë pronat e tyre qoftë për shkak të procesit të legalizimit të zonave informale ashtu edhe për interesa publike.
Drafti
Për t'i dhënë më shumë rëndësi zgjidhjes së çështjes së pronës në Shqipëri, qeveria ka vendosur së fundmi që për mënyrën e krijimit të fondit financiar, menaxhimin dhe shpërndarjen e tij të hartojë një projektligj të veçantë, të cilin e ka titulluar "Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave" dhe që ditët e fundit ka mbërritur në Kuvend për miratim.
Drafti përbëhet nga 10 nene dhe në të parashikohet që për një periudhë 10 vjeçare me propozim të Këshillit të Ministrave, Kuvendi të caktojë buxhetin e veçantë për procesin e kompensimit i cili do të administrohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Kështu, tashmë, ky fond nuk do të mbushet vetëm me të ardhurat nga Buxheti i Shtetit, por në të do të përfshihen edhe lekët e përfituara nga një sërë burimesh të tjera.
Më konkretisht bëhet fjalë edhe për tre burime të tjera, si të ardhurat e përfituara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore për të cilat nuk ka një vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronës.
Për sa i përket kësaj kategorie në projektligj përcaktohet se për llogari të këtij fondi do të kalojnë 65 për qind e vlerës në rastin e ndërtesave dhe 100 për qind e vlerës së shitjes së truallit.
Burimi i tretë është ai nga të ardhurat që krijohen nga procesi i legalizimit, 80 për qind e të cilave kalojnë në këtë fond special. Por, në këtë draft parashikohet që kjo kategori të ardhurash të përdoret vetëm për ato subjekte, që janë shpronësuar si pasojë e procesit të legalizimit, për të cilat gjithashtu është vendosur një klauzolë kufizuese, ku përcaktohet se "ato do të përfitojnë nga fondi i kompensimit në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga transferimi i parcelave ndërtimore".
Do të jetë Këshilli i Ministrave, ai që me propozim të Ministrit të Financave, do të miratojë shumën në dispozicion të këtyre subjekteve dhe shtrirjen kohore të përfitimit të saj. Gjithashtu, drafti parashikon edhe një rrugë të katërt të ardhurash, të cilat krijohen sipas ligjeve apo akteve nënligjore të veçanta.
Fondi
Fondi i krijuar si pasojë e këtyre 4 burimeve do të administrohet në një llogari të veçantë të thesarit në Bankën e Shqipërisë dhe do të paraqitet për miratim në Kuvend paralelisht me Buxhetin e Shtetit.
Por ndryshe nga sa parashikon ligji për Buxhetin e Shtetit, për këtë fond do bëhet një përjashtim në rastet e mosekzekutimit të tij brenda vitit financiar. Kështu, në të gjitha rastet kur ai nuk do arrihet të shpërndahet brenda një viti, ai nuk do të digjet, por do të kalojë për vitin pasardhës.
Për rrjedhojë, buxheti për kompensimin fizik të pronarëve nuk do të jetë më fiks, pasi ai do të ndryshojë qoftë në varësi të ardhurave të krijuara nga katër burimet e mësipërme, ashtu edhe në varësi të shumave të papërdorura gjatë vitit paraardhës. Shpërndarja e lekëve gjithashtu parashikohet të bëhet gjatë periudhave të ndryshme të vitit, sipas kritereve të përcaktuara më parë nga vendimi i Këshillit të Ministrave.
Sërish subjektet që do të fitojnë të drejtën e kompensimit fizik do të duhet të hapin llogaritë bankare dhe t'i paraqesin ato pranë AKKP-së, ku kjo e fundit do të mund të derdhë shumën e përfituar. Shuma e të hollave të përfituara nga kompensimi financiar e depozituar në llogarinë bankare, do mund të tërhiqet personalisht nga subjekti fitues ose nga kujdestari i tij ligjor.
Në këtë projektligj është vendosur edhe një dispozitë e veçantë për detyrimin e raportimit çdo tre mujor nga kreu i AKKP-së në Ministrinë e Drejtësisë lidhur me ecurinë e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Gjithashtu po për këtë çështje Ministri nga ana e vet do të duhet që brenda muajit mars të raportojnë Kuvend.