E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Së shpejti hekurudha Tiranë-Durrës do të jetë funksionale

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka nisur një rubrikë “Sy m’sy”, në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, ku iu përgjigjet pyetjeve dhe komenteve të qytetarëve. Kreu i qeverisë iu përgjigj kritikave të një qytetari në lidhje infrastrukturën hekurudhore në vend.

“Përpara se të vijmë tek trenat, duhet të dilnim nga gropa e madhe që e gjetëm vendin në 2013-n, nga pragu i kolapsit energjetik, me mbi 1,2 miliardë borxhe vetëm të OSHEE-së dhe të dilnim nga gjithë ai zinxhir borxhesh ndaj kompanive të ndërtimit të infrastrukturës, për të gjitha ato rrugë të hapura dhe shirita të prerë dhe pastaj të lënë rrugës pa financime,” u përgjigj Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se “së shpejti hekurudha Tiranë-Durrës do të jetë funksionale”.

“Na është dashur kohë e gjatë, sepse ka të bëjë me financimin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, janë procedura të gjata burokratike jo nga ana jonë, por nga ana e tyre. Kemi në sistem edhe me financimin dhe projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, edhe projektin e hekurudhës Durrës-Hani i Hotit, edhe projektin e Korridorit 8”, tha Rama.

Rama u pyet edhe për Rrugën e Arbrit, për të cilën tha se ësht shumë afër përfundimit.

“Rruga e Arbrit do të mbarojë, por siç e kemi shpjeguar, problem i madh në Rrugën e Arbrit ka dalë në tunelin e Murrizit, ku një gjeologji e pafavorshme krejtësisht ka bërë që të ndryshojë komplet qasja teknologjike dhe i gjithë tuneli të armatohet totalisht me hekur, shumë më përtej asaj që ishte parashikuar, sepse ka pasur shumë prurje uji, por jemi shumë afër përfundimit.

Rruga e Arbrit do të përfundojë dhe do të jetë në dispozicion të popullit të Dibrës me të gjitha standardet dhe më në fund nuk do të ketë më ato probleme që shfaq,” tha Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›