E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i mbytur pas 20 ditësh, mister shkaqet

KRUJË/ Trupi i 21-vjeçarit Asqeri Dobrova, banor i qytetit të Elbasanit, është zbuluar në Halilaj të Krujës

I riu kishte kohë që ishte shpallur në kërkim teksa ende nuk dihet se si ka përfunduar në rezervuarin ku u gjet

KRUJË - Kishte mbi 20 ditë i shpallur në kërkim pas zhdukjes së konstatuar nga familjarët në qytetin e Elbasanit, ndërkohë që gjendet i mbytur në një rezervuar të fshatit Halilaj të rrethit të Krujës. Ka qenë ky fati i 21-vjeçarit Asqeri Dobrova, i cili sipas policisë kishte qenë në gjendje depresive kur ishte larguar nga banesa e tij.

Ai ishte banor i lagjes "Partizani" të qytetit të Elbasanit dhe nga policia ende nuk bëhet e ditur se si ka mundur të përfundojë në Halilaj të Krujës, ndërkohë që në këtë zonë nuk kishte as të afërm. Burime nga blutë bëjnë të ditur se një nga pistat e hetimit është edhe vrasja.

Gjetja e kufomës

Një nga banorët e fshatit Halilaj ka shkuar për të marrë një makinë me bar në afërsi të rezervuarit, ndërsa ka vënë re në ujërat e tij pluskimin e trupit të pajetë të një personi.

Sali Hushi, banor i fshatit Halilaj, rrëfen se një nga banorët e fshatit së bashku me të birin po mbushte një makinë me bar pranë liqenit kur kanë vënë re diçka që pluskonte në ujë. Kur janë afruar kanë parë që bëhej fjalë për një të ri të mbytur, çka ka bërë që të njoftojnë menjëherë policinë.

Të mbërritur në vendin e ngjarjes, forcat e policisë kanë bërë nxjerrjen e viktimës nga uji dhe sipas mjekëve, trupi i 21-vjeçarit kishte shumë ditë që qëndronte në këtë vend, nisur kjo edhe nga shkalla e lartë e kompozimit, pasi trupi kishte filluar të prishej.

Mësohet se i riu kishte me vete edhe shapka, ndërsa në xhep kishte pasaportën e tij. Ende nuk është sqaruar se si ka mundësi që 21-vjeçari nga Elbasani ka përfunduar në Halilaj të rrethit të Krujës. Banorët e këtij fshati thanë se në pamje të parë dukej njeri normal dhe nuk e kishin vënë re asnjëherë në këtë zonë.

Hetimi

Janë ngritur dyshimet se kush e ka çuar të riun në këtë rezervuar, i cili është i fshehur nga rruga nacionale.

Por veprimet e mjeko-ligjorëve nuk kanë konstatuar ndonjë shenjë në trupin e 21-vjeçarit Dobrova, teksa kanë qenë banorët që kanë shprehur dyshimet se mos ai është transportuar dhe është hedhur në këtë rezervuar, që rezulton të jetë një vend i vështirë për t'u gjetur edhe nga vetë vendasit.

Ndërkohë, policia e Krujës bëri të ditur se në trupin pa jetë të riut nuk kishte shenja dhune. Trupi i tij u dërgua në morgun e spitalit të Krujës në pritje të përfundimit të ekzaminimeve dhe të mbërritjes së familjarëve për ta tërhequr.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›