E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Shkodra, pjesë e programit të ri kombëtar mbi infrastrukturën e parkimeve nën dhe mbitokësore

TIRANË, 10 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se Shkodra ka hyrë në një fazë të re për sa i përket investimeve dhe zhvillimit.

Gjatë prezantimit të projekteve për Muzeun e Kujtesës dhe rindërtimin e hapësirës rreth xhamisë në Shkodër, Rama bëri të ditur se Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të japë kontributin për të ndërtuar dhe një parkim të madh nëntokësor, ku do të mund të çlirohet një pjesë e ngarkesës që ka mbi tokë, sidomos brenda në zemrën e Shkodrës.

Kryeministri bëri të ditur se me FSHZH po punohet për një program të ri kombëtar mbi infrastrukturën e re të parkimeve nën dhe mbitokësore.

“Këtu patjetër që do të përfshihet edhe Shkodra. Dëshirojmë të jetë një infrastrukturë që, jo vetëm të lehtësojë barrën e makinave mbi tokë, të vendqëndrimeve vend e pa vend, por edhe të krijojë një tjetër shtresë interesi arkitektonik”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ky është një program që do të na japë mundësinë që me arkitektët, tanimë të shumtë, që janë të angazhuar në Shqipëri, të krijohen objekte, të cilat nga pikëpamja arkitektonike të jenë një atraksion më vete.

“Ndërkohë po punojnë për hyrjen e re të qytetit të Shkodrës, e cila është një projekt shumë ambicioz. Ka filluar puna dhe kam bindjen që në momentin e përmbylljes së asaj pune gjithçka do të duket ndryshe në Shkodër sepse e dimë shumë mirë çfarë impakti të jashtëzakonshëm kanë hyrjet e qyteteve në jetën e qyteteve dhe në imazhin e tyre”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se Shkodra ka hyrë në një fazë të re dhe kjo është e dukshme dhe e prekshme për qytetarët e Shkodrës por edhe për vizitorët.

“Nuk ka asnjë diskutim po ashtu, që ky është vetëm fillimi i një transformimi që fatkeqësisht në Shkodër filloi me 30 vjet vonesë, por që tani nuk do të ndalet dhe të tjera gjëra të mira kemi në plan dhe të tjera projekte do të bëjmë mbi bazën e këtyre planeve në mënyrë që “kryeqytetit të veriut” t’i japim të gjithë rëndësinë të gjithë mbështetjen dhe të gjithë fuqinë që ka nevojë në aspektin ekonomik dhe patjetër për ta forcuar dhe për ta rritur sa më shpejt dhe sa më shumë edhe trendin e sapo nisur të një turizmi të qëndrueshëm në Shkodër”, shtoi ai. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›