E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Shqipëria duhet të ecë drejt integrimit


Kreu i PS-së, Edi Rama deklaron se Shqipëria duhet të ecë drejt integrimit dhe se liberalizimi i vizave është një lajm i mirë. Duke folur në Komitetin e Internacionales Socialiste për Evropën Juglindore që zhvillohet në Tiranë, Rama përsëriti edhe një herë që ky proces të mos ndikohet nga kriza aktuale politike në vendin tonë. Ai theksoi se sot nuk është një krizë e thjeshtë politike, pasi kriza është shtruar në tryezën e Strasburgut.

Rama theksoi se socialistët nuk tërhiqen nga kërkesa për transparencë të zgjedhjeve, të kutive që mbahen të mbyllura, jo për të ndryshuar rezultatin, por për të mos lejuar më zhvillimin e këtij sistemi korruptiv në zgjedhjet e ardhshme.
Kryesocialisti Edi Rama shtoi se vendi është në krizë të gjithanshme, demokracie dhe ekonomike.

Sergei Stanishev, bashkëkryetar i komitetit tha se zgjedhjet nuk duhet të manipulohen dhe duhet respektuar vota e lirë. Duke iu referuar OS-së, ai shtoi se deputetët hynë në Kuvend pas takimit të Strrasburgut dhe apeloi për mirëkuptim kombëtar pasi kjo i shërben integrimit. Ai theksoi se kriza rrezikon integrimin e Shqipërisë ndaj duhet të merren hapa për zgjidhje nga qeveria . "Kjo situatë nmuk mund të vazhdojë", saktësoi ai.

Luis Ajala, sekretar i përgjithshëm i Internacionales Socialiste deklaroi se demokracia është e vetmja mënyrë për të ecur përpara në proceset politike. Ai pohoi se ekonomitë duhet të veprojnë në bazë të rregullave. Sipas tij, zgjedhjet e lira janë thelbësore. "Nëse zgjedhjet nuk janë të lira, nuk ka demokraci. Duhet të pranohet humbja në zgjedhje", saktësoi ai.
Ajala pohoi se Shqipëria ka nevojë për institucione të forta , që punojnë dhe i përgjigjen pritshmërive të qytetarëve.
Sipas Ajalës duhet një lëvizje e gjithë aktorëve politike për t'i dhënë fund ngërçit. "Presim me padurim për të parë mënyrën se si do ketë një kompromis. Evropa po pret se kur do të ndërmerren hapat e tjerë", shtoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›