Rama: Shqipëria është shumë më përpara se disa vende të Ballkanit në fushën e drejtësisë dhe rendit ligjor

Shqipëria nuk ka humbur kohë për të vijuar nga puna për përmbushjen e kërkesave dhe standardeve për integrim në BE, por ka vijuar njësoj sikur këto negociata të ishin hapur.
Kjo u theksua gjatë një komunikimi me mediat të kryeministrit Edi Rama në Bruksel, i cili nënvizoi se Shqipëria është madje shumë më përpara sa i përket drejtësisë dhe rendit ligjor, që janë dhe pikat kyçe për në BE, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Vijon kjo ditë e kaqshumëpritur, me mbledhjen për dorëzimin e kornizës negociatore dhe me fillimin drejtëpërdrejtë të punës me negociatat formale. Ajo që ka shumë rëndësi të thuhet sot është se ne nuk kemi humbur kohë. Nuk kemi pritur që të fillojnë formalisht negociatat për të shkuar më tutje, sepse kemi punuar sikur negociatat të ishin hapur. Kjo është edhe arsyeja që sot Shqipëria jo vetëm hyn në katërshen e vendeve të Ballkanit Perëndimor që negociojnë për anëtarësim, por në aspektin më të rëndësishëm të këtij procesi, që është rendi ligjor dhe drejtësia, jemi në pararojë të të gjithëve”, theksoi kryeministri Rama.
/rtsh.al/