E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria, mbështetje të plotë kandidaturës së Lana Nusseibeh për Sekretare të Përgjithshme të OKB-së

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetjen e plotë të Shqipërisë për kandidaturën e Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në një postim në rrjetin social X, Rama e cilësoi kandidaturën e saj si një mundësi për një fillim të ri për organizatën ndërkombëtare.

“Kandidimi i Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ofron një fillim të ri, një mundësi që bashkësia e OKB-së nuk mund ta lërë t’i ikë, dhe Shqipëria ka nderin t’i japë kandidaturës së saj mbështetjen e plotë e të pakursyer”, shkruan Rama.

Kryeministri theksoi se e ka njohur personalisht Nusseibeh dhe ka pasur mundësinë të vlerësojë aftësitë e saj gjatë mandatit të Shqipërisë si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“E njoha personalisht Lanën dhe e pashë në veprim gjatë mandatit të Shqipërisë si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kur pata mundësinë të vlerësoja njohuritë e saj të jashtëzakonshme për politikën ndërkombëtare, përulësinë e saj të veçantë intelektuale dhe dhuntinë e natyrshme për të kapërcyer dallimet mes kulturave dhe këndvështrimeve”, shprehet Rama.

Sipas tij, në një kohë kur Kombet e Bashkuara përballen me sfida dhe pikëpyetje mbi aftësinë për të përmbushur misionin e tyre, kandidatura e Nusseibeh përfaqëson një shpresë të re.

“Në zymtësinë që mbështjell sot Kombet e Bashkuara, kandidatura e Lanës është një dritë shprese dhe një burim energjie pozitive, sepse, në një kohë kur aftësia e organizatës për të përmbushur misionin e saj vihet kaq thellësisht në pikëpyetje, ajo sjell përvojë, inteligjencë dhe një përkushtim të palëkundur për t’i shërbyer njerëzimit pa asnjë paragjykim”, shkruan kryeministri.

Rama nënvizoi gjithashtu rëndësinë e zgjedhjes së një gruaje në krye të organizatës, pas një historie të gjatë drejtimi nga burra.

“Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, pas kaq shumë burrash në krye, nuk mund të mendoj për një shpresë më të mirë për Kombet e Bashkuara sesa një grua me një staturë të tillë”, përfundon Rama.

/gj.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›