Rama: Shqipëria, për herë të parë mundësi reale që të anëtarësohet në BE

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se “për herë të parë ne na është hapur një mundësi reale, konkrete aktuale që të bëhemi anëtarë të BE-së”.
Në takimin e zhvilluar me kandidatët e Partisë Socialiste në qarkun e Beratit, Rama tha se “qysh prej zgjedhjeve të ndryshimit të madh të ’91-’92 ne s’kemi pasur asnjëherë zgjedhje që të kenë pasur të bëjnë me fatin evropian të Shqipërisë. S’kemi pasur asnjëherë zgjedhje që të kenë pasur një peshë jopolitike, thjesht gjeopolitke që të kenë pasur një rëndësi jo thjesht se kush do fitojë brenda për brenda vendit por a do fitojë vendi apo s’do fitojë vendi në raport me pozicionin e vet në hartën e Evropës”.
Kryeministri Rama u shpreh se “ky është 11 maji”.
“Sepse për herë të parë ne na është hapur një mundësi reale, konkrete aktuale që ne të bëhemi anëtarë të BE-së. Ka qenë gjithmonë që ditën e parë perspektiva, ju e keni dëgjuar sa herë kur kanë ndjekur dhe lexuar udhëheqësit evropianë “Perspektiva juaj është Bashkimi Evropian e ardhmja juaj është BE, horizonti juaj është Evropa”. Por asnjëherë nuk ka ardhur si mundësi e prekshme për ne. Gjithmonë kemi thënë do të vazhdojmë të përpiqemi, do të bëjmë punën, detyrat se një ditë do t’ia dalim. Por asnjëherë dita nuk ka ardhur para syve. Sot na ka ardhur para syve dhe sot na ka ardhur zogu në dorë sepse janë përputhur yjet e fatit të Evropës dhe yjet e fatit të Shqipërisë janë përputhur bashkë”, u shpreh ai.
Sipas tij, tani të gjitha shtetet janë në sinkron për ta futur Shqipërinë në BE.
“Ne na është dhënë një kalendar pune deri në 2027 për të mbyllur negociatat. Ka disa që thonë 12 vjet nuk ju mjaftuan që ta bënit këtë punë, se ti po na mashtron. Unë nuk mashtroj asnjeri dhe e kam thënë edhe e përsëris nëse nuk do ishte kjo sfidë nuk besoj se do kisha këtë zjarr të brendshëm për këtë punë. Por meqë po diskutojmë kohëzgjatjen më lejoni t’u them që Mali i Zi i ka hapur negociatat në 2012 dhe sot është krah për krah me ne sepse plani ose qëllimi i BE-së është që të fusim dy vende të reja, të bëjnë dy anëtarë të rinj të BE-së, Shqipëria dhe Mali i Zi. Ne e kemi hapur me vendim dy vjet më parë, ndërsa konkretisht i kemi hapur vjet”, nënvizoi Rama.
Më tej, Rama tha se “ne sot kemi nevojë që të jemi të fokusuar tek negociatat sepse BE asnjëherë nuk të bën një favor politikisht. Mund të të pengojë siç i kemi bërë 3 herë rresht dhe 3 herë na kanë refuzuar hapjen e negociatave”.
Kryeministri Rama tha se “kemi punuar fort për të qenë këtu ku jemi. Na është hapur një shans për të qenë pjesë e BE-së. Hyrja në BE nuk është çështje socialistësh apo demokratësh. Çdokush duhet të jetë i interesuar që ne të hyjmë në Bashkimin Evropian. Nuk ka rëndësi çfarë ngjyre kam unë, rëndësi ka që unë ju çoj në BE dhe për këtë kemi ndërtuar një rrjet njohjesh të vlefshme për të hyrë në BE”.
1 nga 5/k.s/j.p/