E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama në Berat: Nëse e përdor votën për tifozllëk, i hyn në hak fëmijëve

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëheraz kryetari i Partisë Socialiste deklaroi sot se 11 maji është një moment kur çdo shqiptar duhet të mendojë mirë që për çfarë do ta përdorë votën.

“Se nëse e përdor votën për tifozllëk, se nuk e dua Edi Ramën, nuk i dua këta Fadil Nasufin me kompani dhe do të votoj për kënetën se jam i kënetës, faktikisht do t’i hyjë në hak fëmijëve të vet, atyre që nuk votojnë. Ose vëllai i madh ose motra e madhe do t’i hyjë në hak vëllait të vogël ose motrës së vogël që nuk votojnë dot sepse do të hedhë kot një votë që duhet ta përdorë për futjen e Shqipërisë në BE, për të mos lejuar, bëhen zgjedhjet në datën 11, në datën 12 mund të vazhdojë numërimi”, u shpreh ai, gjatë takimit me kandidatët e PS-së për 11 majin në Berat.

Kryeministri vuri në dukje se ndërsa në Shqipëri do të vijojë të nesërmen numërimi, ekipi prej 1 000 personash që po negociojnë kapitujt për integrimin do të jetë në Bruksel.

“Do të vazhdojë numërimi po ndërkohë puna me negociatat duhet të vazhdojë. Është e hënë data 12. 1 mijë vetë duhet të shkojnë atje dhe nuk duhet të kenë asnjë shqetësim që jo po kush fitoi, jo kush s’fitoi, jo po doli bufi nga këneta, jo po erdhi ai që shet qilima fluturues persianë”, shtoi Rama.

Rama tha se ky është momenti për të hyrë në BE dhe nuk duhet humbur.

“Nuk duhet të ketë fare nga këto se përndryshe humbasim kohë dhe nëse ne humbasim kohë, ne luajmë me fatin tonë sepse kjo dritare e hapur mund të mbyllet. Ne nuk e dimë se si zhvillohen ngjarjet në vitet që vijnë, nuk e dimë. Pa pritur e pa kujtuar atje bëhet paqe, këtej plas një luftë tjetër largqoftë, këtu ndodh diçka tjetër, ata ndryshojnë qasje dhe gjërat mund të kthehen siç ishin më përpara”, vijoi Rama.

“Ndodh një tërmet diku, flas politik; vjen një forcë politike diku tjetër thotë: “’jo s’e dua unë më unë këtë punë”. Kështu që ky është momenti, ne tani duhet ta kapim dhe duhet të hyjmë brenda”, theksoi Kryeministri Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›