PD paraqet kandidatët në Shkodër, Boçi: Koha për t’i dalë zot vendit

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës, Luçiano Boçi prezantoi kandidatët që garojnë në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Boçi bëri të ditur se misioni që kanë mbi supe kandidatët, është sa i vështirë aq edhe shpresëdhënës për zjarrin e fitores së PD më 11 maj.
“Është koha që Shkodra dhe qytetarët e saj të rishkruajnë historinë e t’i dalin për zot vendit të tyre. Jemi në udhëkryqin e historisë, jemi këtu për të shkruar historinë e për t’i dalë zot fateve të vendit”, tha ai.
Ai theksoi se zgjedhjet e 11 majit përcaktojnë të ardhmen e qytetarëve, familjeve të Shkodrës e Shqipërisë
“Ndaj ne sot paraqesim njerëzit tuaj, të drejtë e të ndershëm, që e duan profesionin e politikën si shërbim”, shtoi ai.
E dimë shumë mirë që pjesa më e madhe e shoqërisë sonë, vijoi Boçi, është lodhur nga premtimet boshe, dhuna politike, revoltuar nga korrupsioni i qeverisë dhe kërkojnë rrëzimin e saj.
“Ndaj jemi këtu për të bërë gjithçka, për të bërë Shqipërinë madhështore dhe reale në arsim, shëndetësi, ekonomi, për të rritur pensionet e pagat, një Shqipëri që është realitet i prekshëm e i mundshëm për të gjithë ne”, deklaroi Boçi.
Ne jemi njerëz politik, vijoi ai më tej, që jetojmë në komunitetet tona me hallet dhe problemet e tyre.
“Sfidat tuaja janë sfidat tona. Jemi këtu sepse ne besojmë se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për fëmijët tanë, me shanse të barabarta për ta, ku suksesi është rezultat i punës së ndershme dhe jo i lidhjeve të korruptuara”, tha ai.
Boçi u shpreh se është detyrë e PD-së të sjellë midis njerëzve besimin se në këtë vend ka parti politike si PD, opozitë me njerëz të vërtetë që duan të qeverisin dhe jo të sundojnë, që ka njerëz që nuk duan të komandojnë, por të japin shërbim ndaj njerëzve, që ka njerëz që u duan të mirën qytetarëve dhe jo që iu rrëmbejnë të mirat e tyre.
“Është detyra jonë që të mos lejojmë askënd që ka rrëmbyer pasurinë, ekonominë, krenarinë dhe dinjitetin, vullnetin politik dhe votën, të mbetet pa ndëshkuar”, deklaroi Boçi. /j.p/