Rama: Shqipëria pjesë e familjes europiane brenda kësaj dekade

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, pas përfundimit të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, se bashkëpunimi i Shqipërisë me institucionet dhe partnerët evropianë në fushën e ligjzbatimit është gjithnjë e më i thellë dhe më funksional.
Në një konferencë të përbashkët për mediet me zëvendësministren për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna, dhe Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, Rama vlerësoi angazhimin e administratës shqiptare në procesin e integrimit europian dhe bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Europian.
“Bashkëpunimi ynë në ligjzbatim me partnerët evropianë është më i thellë. Administrata jonë është gjithmonë e më tepër e angazhuar, e investuar dhe e aftë, siç e tregon edhe puna që bëjmë ngushtësisht me Komisionin”, tha Rama.
“Rrugëtimi ynë evropian është i pakthyeshëm dhe i gjithë ky është themeli për paga më të mira, vende më të mira pune, investime më të mëdha e kështu me radhë”, u shpreh ai.
Kryeministri falënderoi gjithashtu Komisionin Europian, duke e cilësuar atë si një institucion mbështetës në çdo hap të procesit të integrimit.
“Komisioni Europian është një kujdestar që na ndihmon në çdo hap të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet ta bëjmë, dhe kjo e bën BE-në një bekim për një vend si i yni, që ka dalë nga një histori pa institucione dhe pa traditë të konsoliduar shtetërore”, tha ai.
Rama vlerësoi edhe rolin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe ambasadorit Silvio Gonzato, të cilin e cilësoi si një ndërmjetës të rëndësishëm në komunikimin mes institucioneve shqiptare dhe Bashkimit Europian.
“Dua të falënderoj ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili ka qenë zëdhënës i rëndësishëm në emër të këtij bashkëpunimi, duke sjellë edhe lajme të mira e të vështira. Ky ka qenë një rol shumë i rëndësishëm dhe e bëj këtë falënderim pasi kjo është konferenca e fundit ndërqeveritare ku ai përfaqëson BE-në”, u shpreh Rama.
Rama falënderoi po kështu “shtetet anëtare që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme bashkë me Komisionin për t’i vënë të gjitha gjërat në linjën e duhur dhe të na sfidojnë”.
“Është sfida më e madhe me të cilën jemi përballur. E dimë këtë, e njohim magnitudën e saj dhe jemi gati të përballemi dhe them pa asnjë lloj përpjekje për të përkëdhelur, të kesh Bashkimin Evropian nga ana jote, është një garanci që ja del dhe ne do t’ia dalim, do të jemi anëtarë të kësaj familjeje brenda kësaj dekade. Unë e di, e ndjej, do të luftoj për këtë gjë së bashku me ekipin tonë dhe jam shumë, shumë i bindur që Marta nuk do të heq dorë nga kjo përpara fundit të mandatit të saj që përkon me herën e fundit që Shqipëria do të jetë jashtë kësaj shtëpie”, nënvizoi kreu i qeverisë shqiptare.
/gj.m/r.e/