E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria zë i besueshëm në rajon, të sigurohemi që ky pozicion të jetë i pakthyeshëm

TIRANË, 28 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga New York-u se Shqipëria ka zërin e saj në rajon, të cilin fuqitë e mëdha e dëgjojnë dhe e besojnë, por “duhet të sigurojmë që ky pozicion i ri i Shqipërisë të bëhet i pakthyeshëm”.

Në aktivitetin e organizuar në SHBA për kontributin dhe vlerësimin e Shqipërisë dhënë për strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve, Rama tha se “Shqipëria qëndron sot në skenën botërore krenare pas kalimit nga një e shkuar e errët diktatoriale në një rrugëtim të gjatë tranzicioni, gjatë të cilit kemi vuajtur shumë paragjykime nga bota jashtë dhe damkën e kriminelëve të varfër”.

Kryeministri theksoi se “transformimi i vendit tonë përmes një reforme rrënjësisht të fortë por të nevojshme të drejtësisë dhe lulëzimit të turizmit në nivelin tonë të lartë sigurisë dhe rolet tona në Këshillin e Sigurimit, në krye të OSBE-së dhe Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut flet vetë”.

Kryeministri theksoi se “ne kemi gjetur zërin tonë në rajon, një zë të cilin fuqitë e mëdha e dëgjojnë dhe e besojnë, por meraku im është të sigurojmë që ky pozicion i ri i Shqipërisë të bëhet i pakthyeshëm”.

“Ne duam miqësi më të forta me të gjithë miqtë tanë të natyrshëm. Aleatët tanë strategjikë janë SHBA-ja dhe BE-ja, e cila është bekimi i rajonit tonë, që, në të kundërt, mund ta harronte shtetndërtimin demokratik dhe prosperitetin. Ne kemi partneritete strategjike me Italinë, Turqinë dhe Greqinë. Këta janë fqinjët tanë, mund ta imagjinoni, nuk është e lehtë, por ata janë miqtë tanë”, shtoi ai.

Po ashtu, kryeministri theksoi se “ne duam lidhje më të forta me Izraelin”.

“Ne duam partneritete më të forta me botën arabe dhe kemi forcuar shumë partneritetin me Emiratet e Bashkuara Arabe, që është një vend mjaft frymëzues me një udhëheqës progresiv vizionar paqedashës që vjen vetëm njëherë në jetë dhe, po ashtu, me Arabinë Saudite, shtysa për reforma e së cilës dhe kërkimi i progresit nën drejtimin e një udhëheqësi tjetër vizionar na ka afruar shumë më tepër se më parë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ne nuk duam konflikte apo mëri nacionaliste në rajon”.

“Ne synojmë të promovojmë jo vetëm me fjalë, por me shembullin tonë, vetëm paqen, bashkëpunimin rajonal dhe gjithnjë dialogun në vend të matjes së muskujve.
Kam një mësim nga gjyshja ime që më vërtetohet gjithmonë: “Fqinj i lumtur, shtëpi e lumtur”. Besoj se nëse mendojmë se Zoti është në anën tonë por edhe në anën tjetër, kemi mundësinë të kuptojmë që në sytë e Zotit jemi të gjithë në të njëjtën anë: anën e njerëzimit. Fakti që shkruante se “Madhështia e njeriut nuk gjendet te pasuria apo pushteti, por te karakteri e mirësia” dhe se “të gjithë ne kemi lindur të mirë në thelb”, nuk e shpëtoi Ana Frankun. Por, siç thekson Simon Wiesenthal, “që e keqja të lulëzojë, duhet vetëm që njerëzit e mirë të rrinë pa bërë gjë”. Rosh Hashanah—Viti i Ri hebre—një kohë për reflektim, ripërtëritje dhe fillime të reja po afrohet me shpejtësi”, shtoi ai.

Rama tha se “kjo është një kujtesë se edhe përballë vështirësisë dhe turbullirave ka gjithnjë mundësi për t’ia nisur nga e para”.

“Rosh Hashanah na mëson se e shkuara nuk na e përcakton të ardhmen; në të kundërt, na kërkon të përqafojmë premtimin e asaj çka vjen me shpresë dhe vendosmëri. Ashtu si tingulli i Shofarit zgjon shpirtin brenda nesh, ashtu edhe ky moment le të zgjojë vendosmërinë tonë për të ndërtuar një botë ku paqja, toleranca dhe mirëkuptimi nuk janë thjesht aspirata, por realiteti që krijojmë në mënyrë aktive dhe pjesë e tij është qëndrimi i palëkundër kundër antisemitizmit, islamofobisë dhe të gjitha formave që e keqja përdor për të hutuar botën”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›