E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Uniteti fetar pjesë e ADN-së sonë, askush në Shqipëri nuk vuan diskriminim etnik apo fetar

TIRANË, 28 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot te uniteti fetar në Shqipëri, ndërsa theksoi se kjo është edhe arsyeja pse “zbatojmë politika paqeje, dialogu dhe tolerance me fqinjët tanë dhe pakicat brenda territorit tonë, të cilat kurrë nuk kanë vuajtur nga ndonjë lloj diskriminimi etnik apo fetar”.

Në aktivitetin e organizuar në New York, SHBA ku u vlerësua kontributi i Shqipërisë për strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve, Rama solli në vëmendje një moment nga vizita e Presidentit izraelit, Hercog, disa ditë më parë në Tiranë.

“Herzog vendosi një kurorë në Memorialin e Holokaustit në Tiranë bashkë me drejtuesit tanë fetarë. Megjithatë, lajmi i vërtetë nuk ishte që ata u takuan; lajm ishte që askush nuk shkroi rreth këtij takimi. Në një vend ku krerët e komuniteteve të myslimanëve sunitë, bektashinjve, një urdhër i moderuar i shiitëve sufistë, të krishterëve ortodoksë dhe katolikë takohen rregullisht dhe kremtojnë festat fetare të njëri-tjetrit, takimi i presidentit të Izraelit me ta nuk përbën lajm”, tha Rama.

Ky unitet midis drejtuesve tanë fetarë dhe komuniteteve fetare, sipas Ramës, “nuk është shfaqje për publikun; është e rrënjosur në ADN-në tonë”.

“Ai pasqyron një ‘mirëkuptim’ dhe ‘mirëqenie’ fetare që është kaq e veçantë në këtë botë të trazuar e të hutuar – një bekim që e gëzojmë. Shqipëria ka qenë gjithmonë kështu dhe kjo shpjegon edhe faktin pse kemi qenë kaq të aftë të zbatojmë politika paqeje, dialogu dhe tolerance me fqinjët tanë dhe pakicat brenda territorit tonë, të cilat kurrë nuk kanë vuajtur nga ndonjë lloj diskriminimi etnik apo fetar”, theksoi Rama.

Shqipëria, sipas Kryeministrit, ishte vendi i parë në Europë, që, në vitin 1932, kur antisemitizmi ishte në rritje, njohu me ligj të drejtën e komunitetit hebre për të kremtuar Sabatin.

” Gjatë Holokaustit, kur udhëheqësi nazist, Hermann Neubacher, thirri krerët fetarë e politikë në vitin 1943, në Berlin, për të kërkuar një listë të hebrenjve dhe sasinë e floririt në bankën e Romës, përfaqësuesit tanë iu përgjigjën: “Floririn mund ta marrësh, ata jo”. Edhe disa takime bisedimesh nuk i bënë të ndërronin mendje: “Floriri është i juaji, merreni, hebrenjtë janë tanët e do t’i mbrojmë!”. Dhe këto janë të gjitha të shkruara në procesverbalet e negociatave. Vazhdojmë të jemi kështu edhe sot”, tha ai.

“Më treguan një histori të shkruar të një studiuesi të ri hebre, i quajtur Theo Canter, i cili kish vizituar së fundmi Muzeun e Solomonit në qytetin e lashtë të Beratit, trashëgimi e mbrojtur nga UNESCO. Dhe la një shënim. “Këtu, isha ai hebreu greko-polak që mbante në kokë një kippah, në një kishë të vjetër shekullore bizantine, në vendin më mysliman të Europës, në islamin më laik dhe, ndoshta, në vendin më tolerant në botë. Dhe u ndjeva më i sigurt kur ecja atje, sesa në vendin tim”. “Një rilindje post-komuniste me një prekje hebreje”, thotë ai”, shtoi Rama.

Rama theksoi se kurrë nuk do të heqë dorë nga bindja se që Shqipëria të rritet e begatohet si komb krenar e që të jetë një shtet i vogël model, është thelbësore që të shohë e të mësojë nga e shkuara me sytë e së ardhmes dhe të mos lejojë kurrën e kurrës përfytyrimin e të ardhmes me sytë e së shkuarës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›