E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Shteti aleat i familjes

Lushnjë (start)-Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka qëndruar në fshatin Grabian të rrethit të Lushnjes, ku është takuar me banorë të zonës, në turin Dialogu me Shqipërinë. Kryetari socialist Edi Rama është përballur me një gjendje të vështirë ekonomike dhe me probleme të papunësisë për banorët e këtij fshati.

"Fëmijët i kam të vegjël nuk kam me se ti ushqej, me 5 lekë që më jep qeveria nuk kam ç’bëj më parë, dritat i kam pa paguar, fëmijët i kam pa bukë. S’ka të ardhme, s’ka punë me ca t'i ushqej këta fëmijë?!"-tha një banore e këtij fshati, duke iu drejtuar Ramës për ndihmë.
Lideri i opozitës Rama në këtë takim ka premtuar se politika e re e PSSH do të jetë një politikë solidare me të gjithë ata që jetojnë në fshat e qytet.

"Në fshat, varfëria dhe papunësia është ulur këmbëkryq, ku familjet e qytetareve dhe qytetarëve që jetojnë në fshat, arrijnë të mbijetojnë vetëm falë sakrificash të jashtëzakonshme dhe falë bijve e bijave që nga emigracioni sjellin ndihmën e pazëvendësueshme. Kjo është një situatë e cila nuk mund të vazhdojë gjatë dhe të cilën ne duhet ta ndryshojmë me një politikë të re”-theksoi Rama para banorëve.

Rama tha më tej se është koha që shteti të bëhet aleat i familjes shqiptare për arsimimin dhe edukimin e fëmijëve si dhe për prodhimin e ushqimeve të domosdoshme, që nga njëra anë familjet në fshat të kenë mirëqenie, dhe nga ana tjetër familjet në qytet të mund të blejnë prodhimet me çmime të arsyeshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›