Rama: Shumë demokratë do t’i bashkohen 5-ës, të mbyllim me sukses krushqinë me BE

TIRANË, 8 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste nga Durrësi, ku zhvilloi takimin përmbyllës elektoral për zgjedhjet e 11 majit, u bëri thirrje demokratëve të votojnë pa parë përkatësinë politike, por të votojnë për integrimin europian të vendit dhe të ardhmen europiane të fëmijëve të tyre.
“Sot themi: Tirana kryeqyteti i Europës së Ballkanit, por në kohëra të tjera, Durrësi ka qenë Europa e Shqipërisë. Dhe është e pamundur për mua ta imagjinoj që qytetarët e Durrësit që ngjyra e flamurit të partisë sonë i bën të acarohen, duhet të shohin një ngjyrë tjetër, shumë më e kthjellët, që na bashkon sot këtu, dhe ka bashkuar flamurin kuqezi me atë të Europës, të shikojnë ngjyrën e detit që na lidh me Europën që qëllon të jetë edhe ngjyra e partisë së tyre”, tha Rama.
Por, vuri në dukje ai, partia e tyre për momentin është në “koma”, nuk jep e as nuk merr.
“Dhe të presësh nga një parti në “koma” të vrapojë, është iluzion. Dhe të mendosh që qytetarët të mbeten peng, pas një bufi kënete është trishtim. Ju drejtohem dhe ju them: shikojeni 11 majin si pasardhës të atyre që folën për herë të parë shqip në Durrës, si pasardhës të atyre që e bënë Durrësin portën ku hynin e dilnin anijet e Europës, si pasardhës të atyre që në shekuj mbajtën këtu shpirtin e Europës të gjallë e aktiv, të atyre që nuk iu dorëzuan kurrë, as diktaturës, as idesë se Durrësi mund të shikonte nga lindja, pasi Durrësi është jo vetëm në perëndim të Shqipërisë, por edhe pjesë e perëndimit të Europës”, theksoi ai.
Rama e cilësoi gënjeshtër edhe lajmin për nongratën e Berishës.
“Bëni një zgjedhje, jo vetëm tuajën por edhe të fëmijëve tuaj, që nuk mund t’ia mohoni dhuratën më të madhe që ne prindërit e kohës sotme mund tu bëjmë fëmijëve. Të ardhmen europiane të të cilëve, për atë Zot, nuk mund t’ia besoni “bufit të kënetës”, një politikani të lashtë që rri rrugëve për hallin e tij personal dhe që sul të gjithë partinë e bretkosave në një ofensive për një gënjeshtër të re si ajo e sotmja”, deklaroi Rama.
“Kështu që unë shpresoj dhe besoj që shumë demokratë do t’i bashkohen pesës, jo Partisë Socialiste, do t’i bashkohen Shqipërisë për të na dhënë një fuqi më të madhe. Për të na dhënë një fuqi më të madhe që ne ta mbyllim me sukses krushqinë me Bashkimin Europian. Këtu ne nuk jemi për të marrë votat që na duhen për të bërë qeverinë. Ne votat për të bërë qeverinë i kemi pa fushatë fare, ne 71 vota i marrim pa fushatë!”, tha Rama.
“Këtu ne jemi për të siguruar për të bërë ç’mos që gjithkujt t’i shkojë mesazhi që Shqipëria sot ka nevojë për një fuqi që të jetë përtej partive, ka nevojë për një fuqi popullore ku të majtë e të djathtë nuk shohin njëri-tjetrin, por shohin bashkë drejt përpara. Ka nevojë për një fuqi që t’i jap atë që ne nuk na i dhanë dot prindërit tanë, prindërve tanë nuk ia dhanë dot gjyshërit tanë, gjyshërve tanë nuk ia dhanë dot stërgjyshërit tanë dhe kështu mbrapa në kohëra qysh nga Skënderbeu i Krujës, profeti i historisë tonë kombëtare, i cili na e përcaktoi fatin, na e tha kur vuri barrikadën dhe i vuri shpatullat perëndimit, “që fati ynë, i stërnipërve të tij është Europa”, nënvizoi Rama
/a.f/r.e/