E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Si u bë kaq i fortë Altin Dumani, barazinë para ligjit e solli PS

TIRANË, 17 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot nga Dibra se “fuqia morale, politike e qytetare e PS-së është që u ngrit mbi veten duke qenë e gatshme për të pranuar edhe goditjet e drejtësisë kur ato vijnë brenda shtëpisë sonë”.

Në një takim me gratë e vajzat e qarkut Dibër, Rama u ndal te Reforma në Drejtësi, ndërsa shtoi se PS ka bërë atë që nuk e ka bërë asnjë forcë politike në qeverisje që nga viti 1912.

“Altin Dumani ka qenë prokuror shumë vite. Ky ka qenë nga Dibra, i ndershëm, i zoti, i papërzier me asnjë gjë tjetër përveçse me punën e vet, por e kishit dëgjuar ndonjëherë të merrte në pyetje ndonjë person të njohur? Po si u bë kaq i fortë Altin Dumani. Dumani u bë i fortë sepse ne bëmë atë që nuk e ka bërë asnjë forcë që ka qeverisur vendin nga vitit 1912. Ne i dorëzuam drejtësisë shpatën e ndëshkimit që i takon drejtësisë”, tha Rama.

Rama u shpreh se nëse sot ka barazi para ligjit në Shqipëri këtë e bëri PS.

“Është për të vënë duart në kokë kur çohen e thonë ‘si mund të votoni PS-në ku gjysma janë në burg, gjysma janë për burg’. Është për të vënë duart në kokë sepse nëse sot ju të gjithë po shihni që mund të ketë barazi para ligjit në Shqipëri këtë e bëri PS. Kur unë thosha që ne duam një drejtësi që mos të shohë majtas e djathtas, por të shohë drejt dhe të godasë majtas e djathtas për kë e kisha? Për ne, ne jemi majtas”, shtoi Rama.

Rama theksoi se kjo nuk është arsye për të ulur kokën

“Fuqia jonë morale, karakteriale, politike, qytetare, patriotike për t’u ngritur mbi veten dhe për të qenë të gatshëm për të pranuar edhe goditjet e drejtësisë kur ato vijnë brenda shtëpisë sonë dhe kur brenda shtëpisë sonë ka njerëz të padenjë është jo një arsye që ne të ulim kokën, por është arsye të jemi krenar se po i japim Shqipërisë një gjë që nuk e ka pasur kurrë”, tha Rama.

Ndërkohë kryeministri theksoi se “bufi i kënetës” thotë se do të shkrijë SPAK në 12 maj, sepse ka hallin e vet”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›