E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Skuadra jonë kombëtare e 11 majit, e ndërtuar me kujdes që nga shtatori i vitit të kaluar

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sërish sot, pyetjeve të qytetarëve në platformat sociale, ku u ndal te lista e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, që sipas kreut të qeverisë është një skuadër kombëtare e zgjedhur me shumë kujdes që nga shtatori i vitit të kaluar.

Sipas Kryeministrit, PS ka ndërtuar një sistem të atillë, që në momentin kur zgjidhen drejtuesit politikë të qarqeve janë ata që bëjnë punën studimore të territorit dhe potencialeve mes komuniteteve dhe partisë.

“Skuadra jonë kombëtare është diçka krejt tjetër, e ndërtuar me shumë kujdes duke nisur qysh nga viti i shkuar në shtator. Kur kemi vendosur drejtuesit politikë, kështu e kemi sistemin, drejtuesit politikë të qarqeve fillojnë dhe bëjnë të gjithë punën studimore të territorit, potencialeve dhe bashkëpunojnë me komunitetet me partinë, me aktorë dhe faktorë të shoqërisë për të kuptuar se cilët dhe cilat janë kandidatët më të përshtatshëm dhe fillojnë e ndërtojnë komunikime sepse jo të gjithë ata që janë kontaktuar kanë pranuar të futen në politikë”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se një pjesë e personave të kontaktuar, kanë refuzuar për shkak të mënyrës se si shihet politika dhe raporti me mediat në vend.

“Një pjesë madje edhe të keqardhur sepse s’kanë faj, duhet guxim ekstra të futesh në këtë arenë sepse këtu kanë thënë “hoxha, prifti janë me barrë çdo ditë”. Llogarit tani të merresh me politikë dhe të jesh në pasqyrat e kënetave dhe moçaleve mediatike”, vijoi Rama.

“Kështu që drejtuesit politikë kanë ndërtuar një proces, ndërkohë që nga ana tjetër ne kemi rilançuar platformën “Deputeti që duam”. E bëmë të parën provë në 2021 ishte hera e parë, nxorëm disa mësime, bëmë disa përmirësime të sistemit dhe patëm rreth 500 e kusur aplikime”, vijoi Rama.

“Pastaj të gjithë këtyre që aplikuan, iu drejtuam me një proces të dytë seleksionimi dhe nga kjo dolën rreth afro 250 individë, të cilëve u dhamë mundësinë që të hyjmë në terren dhe të punojnë në terren. Nga ana tjetër, iu kërkuam që të aktivizohen në rrjetet sociale për të parë se sa të dobishëm do të ishin për skuadrën. Se një gjë është të jesh i Zoti dhe me të gjitha të mirat në jetën tënde private dhe gjë tjetër është të futesh në një skuadër dhe në një betejë publike”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri gjatë fjalës së tij, falënderoi edhe ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, që sipas Ramës ka dhënë një kontribut të çmuar që me nisjen e platformën “Deputeti që duam”, deri te angazhimi i saj si ministre me programet e sportit, artit dhe zejeve në shkolla.

“Më vjen mirë që platforma na ka sjellë risi të madhe dhe këtu dua të bëj një falënderim të veçantë për Bora Muzhaqin. Bora është ministrja jonë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, dhe Bora ka hyrë në platformën e “Deputetit që duam” në 2021, hyri në listë dhe ishte në listën ku duhej të thyhej herësi për të hyrë, nuk u bë dot deputete, por vazhdoi punën”, u shpreh Rama.

“Hyri në jetën publike dhe mori një goditje, u bë e njohur nga që u bë meme, në mungesë të eksperiencës, të orientimit se nuk është e lehtë të të vënë kamerat si mitraloza pa pritur e pa kujtuar dhe të japësh përgjigje kur s’ke asnjë eksperiencë apo përgatitje. Megjithatë, ka bërë një punë dhe një përpjekje këmbëngulëse për ta kapërcyer atë moment që mund ta kishte thyer njëherë e mirë psikologjikisht dhe ka punuar me disa programe në shkolla, sporti në shkolla, arte dhe zeje dhe nga ana tjetër është angazhuar me platformën. Dua ta falënderoj për punën që ka bërë me platformën sepse na ka dhënë goxha dorë, se ka qenë një burim i pavarur prurjesh të reja”, pohoi Kryeministri Rama.

“Jam i bindur që platforma në zgjedhjet e ardhshme të 2029 do të jetë një instrument i jashtëzakonshëm, me këtë herë të dytë ka dhënë provën te shumë skeptikë që funksionon”, përfundoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›