E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Smart City”, hedhja e mbeturinave në rrugë bëhet e pamundur

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se teknologjia do t’i japë fund ndotjes dhe do ta bëjë Shqipërinë ndër vendet më të sigurta në botë.

Gjatë aktivitetit, ku u nënshkrua marrëveshja për zbatimin e projektit “Smart City Albania”, Rama theksoi se Shqipëria përballet me një problem serioz të ndotjes së mjedisit, veçanërisht gjatë sezonit turistik, ku hedhja e mbeturinave përgjatë rrugëve kombëtare mbetet një shqetësim i madh, por përmes këtij projekti ky fenomen bëhet i pamundur.

“Për pastërtinë, kemi problematikën e tmerrshme të hedhjes së mbeturinave gjatë sezonit turistik, sidomos në anë të rrugëve kombëtare. Bëhet e pamundur sepse, nëse sot ne i kemi gjobat, zbatueshmëria e tyre është shumë e vështirë, në mos e pamundur, për shkak se gjoba është individuale dhe ose duhet ta shohësh njeriun aty kur e hedh mbeturinën dhe ta kapësh, ose s’e kap më kurrë”, u shpreh Kryeministri.

Sipas tij, sistemi i ri inteligjent do ta bëjë të mundur identifikimin automatik të shkelësve.

“Ky sistem t’i sjell gjithë njerëzit në rresht në ekran. Dhe nuk të sjell fytyra që ti duhet t’i identifikosh, të sjell fytyra të identifikuara”, tha Rama.

Duke iu drejtuar efektivëve të Policisë së Shtetit, Kryeministri nënvizoi rolin kyç të teknologjisë në luftën kundër kriminalitetit.

“Ky sistem ka sy, pasi juve do t’i jepni të gjitha fytyrat e krimit, ky do t’i ndjekë vetë”, deklaroi ai.

Rama e krahasoi funksionimin e sistemit me njohjen e drejtpërdrejtë të personave problematikë.

“Është njësoj si t’ia prezantosh dikujt një person, t’i thuash ‘ky është personi’ dhe pastaj ai e njeh dhe kudo që e sheh të vjen e të thotë: e ke në filan vend”, shtoi Kryeministri.

Sipas tij, ky projekt përfaqëson një revolucion teknologjik për vendin.

“Është një revolucion që vjen në tërësinë e transformimeve që ne po mund të bëjmë falë bekimit të teknologjisë së lartë. Është një revolucion që mori disa kohë për të ardhur në këtë ditë të sotme, për shumë arsye të mosarsyes, por sot me firmosjen e marrëveshjes fillon zbatimi”, theksoi Rama.

Në përfundim, Kryeministri u shpreh i bindur se efektet do të jenë të dukshme në një afat të shkurtër.

“Më herët se vonë do të fillojmë të shohim edhe rezultatet, por është e sigurt që në harkun e dy viteve Shqipëria do të jetë patjetër në nivelin e vendeve më të sigurta të botës. Dhe jo më të sigurta të botës në sensin që e shohim sot, por më të sigurta të botës në sensin që do të jetë shumë e vështirë për të lëvizur në rrugët e Shqipërisë për të bërë keq. Do të jetë shumë e vështirë, në mos e pamundur”, u shpreh Rama.

Sot nis zbatimi i projektit “Smart City Albania” për instalimin e një sistemi sigurie, përmes kamerave inteligjente, i cili do ta rendisë Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë edhe në këtë drejtim, duke sjellë standarde të larta monitorimi të rrugëve të qyteteve, shkollave dhe mjediseve të tjera publike.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›