Rama: Synojmë turizëm cilësor, çmimet e larta ju kthejnë në varrmihës të investimit tuaj

TIRANË,20 prill /ATSH-Arbi Fortuzi/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë për të folur për Paketën e Maleve.
Ndër të tjera, Kryeministri Rama u bëri thirrej përfaqësuesve të industrisë së biznesit të kenë kujdes mbi raportin cilësi dhe çmim, pasi dëmtojnë në mënyrë të pariparueshme sipërmarrjen e tyre.
Rama tha se objektivi tashmë nuk është rritja e numrit të turistëve, por afrimi i turistëve që konsumojnë dhe për këtë agroturizmi mund të jetë një motor zhvillimi dhe tërheqjen e kësaj kategorie turistësh.
“Është shumë e rëndësishme të vetëdijesohet e gjithë industria e turizmit që ajo që duket sikur ka arritur në majë, vetëm sa ka filluar. Potenciali i Shqipërisë është i jashtëzakonshëm dhe është ende shumë i pashfrytëzuar dhe mundësia që Shqipëria të nxjerr shumë më tepër të ardhura nga turizmi është shumë e madhe.
“Dhe kur them të nxjerr të ardhura nga turizmi, nuk them të vijnë këtu 35 milionë turistë, pasi nuk na duhen. Nuk duhet të bëhemi një destinacion i mbingarkuar të turizmit të masës që është një turizëm që sjell shumë njerëz, por që nuk janë konsumatorë të lartë, por të ulët, që konsumojnë pak”, tha Rama.
“Ne, shtoi kryeministri, duhet të synojmë ata që konsumojnë shumë. Dhe argoturizmat mund të bëhen si të thuash transformuesit edhe në këtë drejtim, duke rritur cilësinë e shërbimit në radhë të parë, duke mbajtur një ekuilibër me çmimet e dyta”.
Lidhur me çmimet dhe cilësinë e shërbimit, Rama tha se duhet një vëmendje e posaçme në këtë drejtim, pasi mund të kthehet në një vetëshkatërrim mungesa e strategjisë afatgjatë nga sipërmarrja.
“Shumë kush në industrinë e turizmit sot në Shqipëri nuk e kupton të paktën atë që është lista e çmimeve dhe nuk është se unë po ju vë në diskutim inteligjencën, por po ta shohësh listën, duke nisur nga Vlora që është fenomen në këtë rast dhe shikon investimin, ti mendon që ky njeriu që ka bërë gjithë këtë investim, nuk e kupton se çfarë i bën investimit të vetë me listën e çmimeve që i vë përpara turistit, pasi i ndërpret të ardhmen biznesit të tij.
“Duke bërë lista apo menu, ose tabela e çmimeve të dhomave me atë urinë për të fituar sot, pa menduar për atë që do të fitosh nesër, faktikisht ti bën varrëmijësin e investimit tënd. Është një tragjedi që u ka ndodhur jo pak vendeve, nga e cila duhet mësuar. Nëse ti investon në një restorant me kashtë dhe se ke problem shumën që ke investuar ti mund ta bësh këtë lojë dhe fiton ccke për të fituar sot, dhe nesër e pasnesër, kur s’të vjen më njeri, lë kashtën aty dhe ikën. “Por, nëse investon dhjetëra miliona euro për hotele, për agroturizma dhe je i vetëdijshëm që këto investime duhen shumë para në fillim dhe kthimin e kanë të ngadaltë por të qëndrueshëm, atëhere ti duhet të mendosh strategjikisht që ta marrësh pas atë që ke investuar dhe të fitosh mbi atë që ke investuar hap pas hapi”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se “në momentin që njerëzit, turistët vijnë në një destinacion se e zbulojnë dhe pastaj nisin e largohen të pakënaqur nga raporti cilësi shërbimi, çmim dhe nga raporti ofertë dhe kapaciteti ofertës, pasi ato vijnë në Shqipëri pasi mendojnë se këtu ka akoma çmime të arsyeshme, atëherë do të largohen, kështu ka ndodhur në shumë vende, ato vende juve merreni me këtë punë, mund edhe ti kërkoni e shikoni në rrjet, kthehen në larg qoftë, varreza, nuk vjen më njeri. Edhe hoteli të falimenton, investimet shkojnë për dreq. Dhe të rikuperosh atë goditje reputacioni që i bën vetes, duhet shumë vite dhe ka vende, pika, që nuk është kthyer më gjëja. Dalin destinacione të reja…etj”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se sipërmarrësit duhet të kenë një vizion strategjik në investimin e tyre. “Duhet të jeni strategjik në këtë pikë, jo për popullin. Që kur zgjodhëm kapitalizmin, zgjodhëm një sistem që kush do të fitojë, do të fitojë edhe më shumë, por për vete dhe interesin tuaj”. Më tej, Rama foli dhe për shërbimin. “E fundit që do të predikoj këtu është kultura e shërbimit. Është buzëqeshja, është krijimi tek tjetri i asaj që ne të gjithë e themi mikpritja shqiptare. Nëse klienti vjen dhe gjen një ekip që buzëqesh dhe që është i gatshëm ta dëgjojë me durim dhe me dashuri, të fal dhe të metat. Të shkosh dhe të futesh në një hotel dhe të të vënë përballë çmime që nuk përputhen me atë që ti merr”, përfundoi Rama.
/a.f/