E Diel, 1 Nëntor 2026

Paketa e Maleve, Rama: Merr titullin e pronësisë pasi përfundon investimin, jo për investitorët e mëdhenj

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama prezantoi Paketën e Maleve si një mekanizëm të ri që synon të zgjidhë problemin e pronave pa titull në zonat malore dhe t’u japë mundësi qytetarëve të zhvillojnë investime në agroturizëm.

Gjatë një takimi me përfaqësues të sektorit, ai sqaroi se programi nuk është i destinuar për investitorë të mëdhenj apo për dhënie të trojeve publike, por për individët që zotërojnë toka të trashëguara dhe duan t’i zhvillojnë ato, duke mundësuar edhe përfitimin e titullit të pronësisë pas realizimit të investimit.

“Paketa e Maleve, ndryshe nga çfarë është trajtuar në kanalet e informacionit, nuk është paketë për kompanitë e mëdha, për investitorët e mëdhenj dhe aq më pak nuk është një paketë për të dhënë territore, troje publike për zhvillime private. Nuk është fare ky qëllimi i paketës objekti i paketës”, deklaroi Rama.

Ai bëri të ditur se kjo paketë ka lindur si nevojë për të adresuar një problem të hershëm pronësie, që lidhet me ligjin 7501 dhe konfliktet në disa zona, kryesisht në veri dhe verilindje të vendit.

“Paketa e Maleve ka lindur nga nevoja për t’i dhënë drejtim një problemi të madh që e ka origjinën shumë larg në kohë, te ligji 7501 dhe konflikti i shumë familjeve në zona të caktuara, kryesisht veri”, tha Rama.

Sipas tij, ka shumë familje që nuk e kanë njohur ligjin 7501 si instrument të vlefshëm për tokën e tyre dhe nuk kanë marrë certifikata përdorimi, duke e rindarë tokën mbi bazën e kufijve të vjetër.

“Problemi i këtyre është që e kanë të pamundur të kenë akses në financa”, u shpreh ai.
Kryeministri kujtoi se një ligj i miratuar i quajtur “ligji 2020” synonte të zgjidhte këtë situatë, por nuk dha efektin e pritur.

“Nuk na dha atë efekt që do të duhej të jepte, sepse prezumon dakordësinë me shkrim të gjithë atyre rreth e rrotull, për këtë arsye lindi Paketa e Maleve”, tha Rama.

Duke shpjeguar mekanizmin e Paketës, Rama theksoi se shumë shqiptarë që jetojnë në emigracion ose në qytete kanë toka dhe shtëpi të vjetra që duan t’i zhvillojnë, por nuk kanë mundësi për shkak të mungesës së titullit të pronësisë.

“Me ligjin e ri që quhet Paketa e Maleve kjo bëhet e mundur duke aplikuar drejtpërdrejt, duke shprehur interes pranë bashkisë, duke thënë: kjo tokë është e imja”, tha Rama.

Ai sqaroi se bashkia mban të publikuar listën me shprehjet e interesit për një periudhë 45 ditore, gjatë së cilës çdo person që ka pretendime mund të paraqesë kundërshtime.

Nëse nuk ka kundërshtime të argumentuara, informoi ai, çështja kalon në këshillin bashkiak për miratim.

“Ky miratim vlen vetëm për të aplikuar për të marrë leje për një projekt, nuk vlen për gjë tjetër. Nuk e shet, as e jep me qira, as nuk merr akoma titull pronësie”, deklaroi Rama.

Rama shtoi se pas miratimit të projektit dhe ndërtimit të investimit, vetëm atëherë përfitohet titulli i pronësisë.

“Vetëm pasi ti ke përfunduar ndërtimin, jo përpara, merr titullin e pronësisë mbi atë ndërtim dhe mbi atë investim. Nuk mund të marrësh peng tokën, duhet ta mbarosh investimin për të marrë titullin e pronësisë”, u shpreh ai.

Ai theksoi gjithashtu se në rast se shfaqen pretendime të tjera për pronësinë, çështja zgjidhet në gjykatë dhe shteti merr përsipër kompensimin e palës që kërkon të drejtën mbi tokën.

“Në çdo rast kur për një tokë shfaqet dikush tjetër me pretendime, shkon në gjyq. Nëse fiton aty, i takon shtetit që ta kompensojë personin i cili mund të shfaqet si pretendues i kësaj prone”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ky program është i orientuar drejt zhvillimit të zonave rurale dhe mbështetjes së individëve që duan të investojnë në pronat e tyre.

“Ky program është thjesht e vetëm për ata që duan të zhvillojnë tokën e tyre, të ndezin oxhakun në shtëpinë e gjyshit të tyre, të ndërtojnë një fermë, një pikë agro-përpunimi dhe do të kenë të gjithë mbështetjen tonë”, përfundoi Rama.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›