Rama: Taksim të ndershëm; të rrisim prodhimin vendas
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u ndal në njësinë bashkiake numër 5 në kryeqytet për bashkëbisedimin e radhës me qytetarët. Kreu i opozitës u ndal tek programi qeverisës i socialistëve, një nga shtyllat e të cilit është edhe ulja e taksave për rrogat dhe bizneset e vogla. Rama cilësoi sistemin aktual të taksimit si të pandershëm dhe tha se me vendosjen e taksës progresive, mësuesit, policët, infermierët e punonjës të tjerë do të përfitojnë të paktën një rrogë shtesë në fund të vitit.
Nga një taksim i ndershëm mësuesit përfitojnë një rrogë më shumë, policët dhe infermierët më shumë se një rrogë dhe të gjithë ata që marrin më pak se 1.5 mln do përfitojnë nga ulja e taksave menjëherë dhe të gjitha dyqanet dhe bizneset e vogla, tha Rama.
Kryesocialisti tha se nga ulja e taksave do të përfitojnë edhe fermerët. Sipas tij, kjo ulje do të ndikojë në uljen e kostos së prodhimit dhe rrjedhimisht edhe në uljen e çmimeve të ushqimeve në treg. Rama premtoi nxitjen e prodhimit vendas duke e cilësuar si turp faktin që Shqipëria nuk siguron dot vetë produktet ushqimore, por i importon ato.
Ulje taksash do të ketë edhe për ata në fshat që nuk arrijnë dot të prodhojnë sepse kostoja e prodhimit është më e madhe se sa çmimi i prodhimit. Do ulim çmimet e ushqimeve duke ulur koston në fshat dhe duke nxitur prodhimin nga toka. Jemi i vetmi vend në Europë që eksportojmë 1 dhe importojmë 8 kur vjen puna tek ushqimi. Turp i madh për një vend që i ka të gjitha ato që nevojiten për ti garantuar vetë këto, tha Rama.
2 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)
Rama: Taksim të ndershëm; të rrisim prodhimin vendas burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email