Rama: Të bëjmë historinë, ose do përfundojmë si kundërshtarët
Partia Socialiste zhvilloi dje mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i PS-së, Edi Rama kërkoi nga deputetët e PS-së që të marrin përgjegjësitë për realizimin e premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale.
Premtimet
Duke u ndalur tek premtimet, Rama u tha deputetëve se në këto katër vite qeverisëse ose do të bëjnë historinë ose do të ndëshkohen me votë pas katër vitesh si kundërshtarët e tyre. Ky nuk është mandat i radhës për një qeveri të radhës, por ky është një mandat që na vendos para 2 mundësish. Ose të bëjmë histori ose të ndëshkohemi pas 4 vjetësh në mënyrë historike. Na duhet reformë tërësore në sundimin ligjit dhe riorganizimi sistemit të territorit si pasuri kombëtare dhe publike por dhe si shprehje e gjithë interesave private dhe të parasë publike, tha Rama.
Rezultati
Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, kryesocialisti tha se askush nuk e priste një rezultat të tillë ndërsa shtoi se kjo fitore është përgjegjësi e madhe që i vihet PS dhe për të përsosur veten. Askush prej nesh nuk e priste këtë rezultat, të gjithë besonin tek fitorja, por askush nuk e mendonte se fitorja do të ishte kaq e thellë dhe se shqiptarët do na besonin një përgjegjësi kaq të madhe. Kjo fitore është shumë e qartë në thelbin dhe këndvështrimin e vet se nuk është një votë thjesht për të ndryshuar qeverinë, është një votë për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë dhe këtu shqiptarët na kanë vënë përballë një sfide jashtëzakonisht të madhe. Duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo votë nuk është për përsosmërinë tonë por është një votë që na kërkon të përsosim më tej partinë tonë, u shpreh Edi Rama. Kreu i PS-së, kërkoi që të krijohet një model i ri ndryshe nga kundërshtarët që përfunduan në gjykimin e publikut. Të krijojmë një model të ri dhe jo të përfundojmë në gjykimin e publikut siç përfunduan kundërshtarët tanë. Kemi krijuar një frymë të re shprese dhe kemi përballë një sfidë ku kemi një realitet ku ka nevojë për ndryshim, theksoi Edi Rama.
Ministrat jo deputet, Rama: Zgjedhje e drejtë
Kreu i Partisë Socialiste iu rikthye edhe një herë vendimit për lënien e mandatit për të gjithë ata deputetë të cilët do të bëhen ministra. Duke e vlerësuar si pozitive këtë veprim, kryesocialisti Rama tha se shqiptarët do të kenë një model të ri të ministrit dhe të deputetit të mazhorancës. Kemi marrë një vendim për të ndarë mandatin e deputetit nga ai i ministrave. Kjo është një zgjedhje e drejtë dhe vendosja në punë e një qeverie ku çdo ministër të ketë përgjegjësi individuale për ecurinë e çdo sektori dhe trupa parlamentare të ketë përgjegjësinë kolegjiale dhe individuale për të ballafaquar ecurinë e punëve të qeverisjes do na japë një raport të ri forcash në realizimin e qëllimit tonë të përbashkët, është e domosdoshme të ndryshojmë modelin e ministrit dhe deputetit të shumicës në këtë vend, deklaroi Edi Rama.
Rama: Në shtator, gati regjistrimi i burimeve njerëzore
Duke folur për çështjen e punësimit, Rama kërkoi nga Asambleja që brenda shtatorit të jetë gati regjistri i burimeve njerëzore në gjithë vendin. Në gjithë territorin e vendit me shpejtësi deri në shtator të kemi regjistrin e burimeve njerëzore që kemi në dispozicion, edhe të atyre që janë shtuar edhe gjatë fushatës, ata që kanë kontribuar meritojnë një shans, por të sigurohemi që vendi i punës është vendi që u takon, se ajo punë i kërkon ata dhe jo ne që u kërkojmë atyre punë, tha Rama. Sipas tij, duhet të ndihen të vlerësuar të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë fushatë, e që nuk duhet të ndihen të fyer se nuk kanë lidhjen e duhur, apo se nuk trokasin për krenari ose modesti në derën e duhur. Ne duhet të bëjmë transparencën e plotë të shpërdorimit të vogël në fushatë, që ka kërcënuar, ka bërë presion, ka detyruar për përfshirje. Ne nuk duhet të përsërisim gabimet e kundërshtarit dhe as të harrojmë gabimet e bëra nga PS e për të cilat u ndëshkua nga shqiptarët me votë, deklaroi Edi Rama.