Rama: Të heqim dorë nga kutitë? Do të ishte tradhti ndaj atdheut
Kreu i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar dje nga Vlora se shantazhet e Berishës nuk e trembin opozitën
Megjithëse një ditë feste, partitë nuk kanë lënë mënjanë edhe luftën e tyre politike. Nga Vlora, kreu socialist Edi Rama, pasi ka marrë pjesë në ceremonitë e organizuara me rastin e ditës së pavarësisë, nuk ka nguruar të përcjellë dhe disa mesazhe politike, ku ka evidentuar si të rëndë situatën në të cilën ndodhet demokracia shqiptare.
Ai ka theksuar se përvjetori i 97-të i pavarësisë, e gjen Shqipërinë përballë një sërë vështirësisë që, sipas tij, kanë ardhur vetëm për shkak të kryeministrit Berisha që nuk pranon vullnetin e shqiptarëve për të hapur kutitë e votimit dhe për vendosur drejtësinë në këtë vend.
"E vërteta është se përvjetori i këtij viti, e gjen demokracinë në një moment delikat, ekonominë shqiptare të kërcënuar nga falimentimi, moment kur opozita shqiptare është jashtë parlamentit, një parlament ky që aktualisht është jashtë binarëve të ligjit", - tha Rama në fjalën e vet të mbajtur gjatë një konference për shtyp.
Ndaj, ka theksuar ai, ky 28 nëntor i gjen qytetarët në shesh për t'i dhënë pikërisht këtij institucioni legjitimitetin e duhur. Sipas tij, rikthimi i legjitimitetit të Kuvendit nëpërmjet transparencës së zgjedhjeve përbënë një kauzë më të lartë që nuk mund të krahasohet çfarëdolloj interesi.
Kjo datë na gjen në përpjekje qytetare, me vetëdijen e plotë për mbrojtjen e votës së lirë, një interes ky më i madh se çdo interes vetjak i secilit prej nesh. Pa dyshim gjëja më e lehtë, është të mbyllim sytë, por mbyllja e syve është më e keqe ndaj çdo tradhtie ndaj atdheut", - tha Rama.
Rama ka sulmuar kreun e qeverisë Sali Berisha, duke e konsideruar si të vetmin faktor pengesë për hapjen e kutive, ndërsa e ka akuzuar atë se po përdor të njëjtat metoda të diktatorit të mëparshëm.
Ndërsa, duke iu referuar akuzave dhe fjalorit të përdorur nga kryeministri në seancën e fundit plenare, kreu i PS-së ka bërë të ditur se ai shpërthim ka ardhur vetëm si pasojë e masivizimit të lëvizjes qytetare në kërkim të hapjes së kutive.
"Sali Berisha, i gjendur para një fakti tepër të rëndë, siç është hapja e kutive, ka vendosur të hedhë male me baltë, për të fshehur të vërtetën, duke shkelur çdo ligjësi në një formë të përçudnuar të komunikimit me publikun.
Kërkesa jonë për hapjen e kutive është një kërkesë për të drejtën e lirive dhe votës, që i referohet qëllimit patriotik që vendi ynë të mos ketë më zgjedhje si ato të 28 Qershorit. Politika e baltës, bombardimit të opinionit publik me të pavërteta është një politikë e diskretituar në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë, duan të dëgjojnë ç'bën qeveria e tyre për papunësinë, për rritjen e mirëqenies, apo sigurimin e jetës.
Propaganda e përbindshme, antiopozitare, që kërkon ta përshkruajë opozitën si rrezik, është shprehje e dështimit", - tha Rama në fjalën e vet. Sipas tij, të thuash sot se opozita shqiptare pengoi liberalizimin e vizave, fyen inteligjencën e popullit shqiptar, e cila nuk është më ajo e viteve '90-të. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se pavarësisht kërcënimeve të kryeministrit, opozita nuk do të lëvizë nga qëndrimi dhe rruga e saj për hapjen e kutive.
"Dua të theksoj sot se asnjë shantazh, goditje e pabesë dhe e pafytyrë, asnjë shpifje e akuzë, sado monstruoze qoftë, nuk na zmbrapsin nga rruga jonë e drejtë. Ne kërkojmë që demokracia shqiptare të jetë për të gjithë, t'u japë të gjithëve shansin e punës së ndershme dhe përfitimin e drejtë të saj. Ne sot jemi krenarë për këtë përfaqësim të drejtë që po u bëjmë qytetarëve shqiptarë, jemi krenarë për këtë aleancë të madhe, që po kthehet në lëvizje popullore", - u shpreh Rama.
Nga Vlora, Rama ka deklaruar edhe një herë se nuk do të ndryshojnë qëndrimin në lidhje me hyrjen në parlament. Ndërkohë, në lidhje me ndarjen e Metës nga Berisha për festat e nëntorit, Rama është shprehur "mos prisni që Meta të ndryshojë, ai është si çdo njeri tjetër brenda kësaj qeverie, thjesht i lidhur me ta për interesa të ndarjes së pushtetit".
Topi: Mazhoranca dhe opozita të bashkëpunojnë
TIRANË- Në ditën e përkujtimit të 97-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti Bamir Topi i kërkoi mazhorancës dhe opozitës që të bashkëpunojnë ndërmjet tyre.
Duke uruar të gjithë shqiptarët për festën e Flamurit, nga Pallati i Brigadave, kreu i shtetit duke përfituar nga prania e thuajse të gjithë përfaqësuesve më të lartë politikë në vend, bëri thirrje që pozita dhe opozita të shpalosin opsionet e tyre politike në Kuvend, në emër të interesave të vendit dhe qytetarëve të tij.
Nisur nga situata politike në vend, ku opozita dhe mazhoranca gjenden në marrëdhënie tepër të acaruara mes tyre, Presidenti Topi theksoi dje se të gjithë shqiptarët duan që të mbyllin tranzicionin e gjatë shqiptar.
Në këtë mënyrë, kreu i shtetit, përkundrejt asaj që ka deklaruar më parë se për zgjidhjen e situatës politike në vend kërkohet vullneti i partive politike dhe jo i Presidentit, duket se dje i bëri një apel të qartë forcave kryesore politike, për të gjetur gjuhën e kompromisit dhe që ato të bashkëpunojnë me njëra - tjetrën, për të kryer reformat e mbetura në vend.
"Përveç urimeve, do të uroja që të kishim një Kuvend ku sa qeveria, aq edhe opozita t'i përvisheshin punës për të ballafaquar opsionet e tyre politike, në të mirë dhe në interes të vendit dhe të qytetarëve të tij.
Sot është ditë feste, por ajo mund të jetë një ditë e rëndësishme për të menduar me ndërgjegje të pastër, me përgjegjësi kombëtare e me pjekuri politike dhe për t'iu rikthyer kujtesës dhe shembullit të atyre burrave të fisëm që më 28 Nëntor të vitit 1912-të u mblodhën, luftuan dhe fituan Pavarësinë e Shqipërisë.
Unë shprehem besimplotë se të gjithë shqiptarët e vërtetë mendojnë kështu dhe dëshirojmë që Shqipëria të mbyllë njëherë e përgjithmonë kapitullin e tranzicionit të saj politik", - tha dje Topi. Megjithatë, sipas tij, Shqipëria e sotme nuk është ajo e vitit 1912, por, sërish sipas Topit, sfidat e së ardhmes janë shumë mëdha.
Për këtë arsye, sipas Presidentit të Republikës, e gjithë politika shqiptare duhet të tregojnë përgjegjësi për të integruar Shqipërinë në strukturat evropiane. "Është e natyrshme që Shqipëria sot nuk është ajo e vitit 1912, as ajo e viteve '90-të, por sfidat dhe përgjegjësitë e saj janë sërish të mëdha. Ato janë sfidat e të ardhmes, sfidat e demokracisë, sfidat e lirisë dhe të mirëqenies, sfidat e integrimit.
Shqipëria ose më mirë të gjithë ne, duhet të tregojmë se ashtu si, së bashku, përballuam vështirësitë e viteve të para të demokracisë në Shqipëri, filluam reformat e përmbysjeve të mëdha politike, ekonomike e sociale, ndërtuam marrëdhënie të reja me vendet aleate dhe mike, bashkërenduam me sukses zërin e pazëvendësueshëm shqiptar në sfidat rajonale, ndërtuam një Shqipëri, anëtare të NATO-s, fituam besimin e Bashkimit Evropian, ashtu ne jemi të aftë, të mençur dhe të përgjegjshëm të çojmë përpara, drejt Evropës së Bashkuar, vendin tonë të dashur, Shqipërinë", - u shpreh Presidenti Topi.