Kapen pistoleta me silenciator e mina me telekomandë
Durrës, policia ka arrestuar tre persona për një grabitje 12.5 milionë lekësh të reja. Grupi dyshohet për vjedhje të tjera
DURRËS- Policia e Durrësit ka mundur që të vëjë në pranga tre persona të dyshuar si autorë të disa grabitjeve në qytetin bregdetar. Grabitja e tyre e fundit ka ndodhur në një dyqan pajisjesh elektronike ku janë marrë, përveç parave, edhe një sasi e konsiderueshme kartash rimbushëse të telefonisë celulare si dhe të platformave dixhitale. Përveç sendeve të vjedhura në banesat e të arrestuarve janë gjetur edhe dy pistoleta me silenciator.
Operacioni për arrestimin e të dyshuarve është koduar me emrin "Kasaforta". Uniformat blu kanë kryer arrestimin në flagrancë të 21- vjeçarit Arber Bardhi lindur dhe banues ne lagjen nr.5 Durrës, 19- vjeçarit Sali Ndregjoni, i lindur ne Dibër dhe banues në Durres, lagja nr. 5 dhe Ergys Vogli.
Sipas policisë, arrestimi i këtyre shtetasve është bërë për arsye se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe 20- vjeçarin Ismail Deshuka, banues në Burrel, dhe 22- vjeçarin Alfred Skonja, me banim në lagjen nr. 12 Durrës (i shpallur në kërkim) kanë vjedhur me thyerje dyqanin në pronësi të shtetasit Agron V. Vjedhja është bërë duke dëmtuar murin e pasmë. Mallrat e vjedhura kapin vlerën e 12.000.000 lekëve të reja si dhe një sasi parash prej 500.000 lekësh të reja të prerjeve të ndryshme.
Pas dy arrestimeve të kryera, u ushtrua edhe kontroll në banesat e të dyshuarve ku dhe u gjend një sasi e madhe nga materialet e përvetësuara, mes të cilave edhe një minë me telekomandë si dhe një pistoletë ish-jugosllave e markës "Zastava".
Sipas policisë, pistoleta u gjend në banesën e Sali Ndërgjonit, ndërsa mina tek garazhi i Arbër Bardhit. Policia saktësoi se në banesën e tij është gjetur dhe sekuestruar një sasi kartash telefoni dhe karta dixhitale si dhe makina me të cilën është kryer grabitja.
Për çaktivizimin e minës me telekomandë që i u gjet Arbër Bardhit, kanë ardhur specialistë nga Tirana. Policia pas dy arrestimeve të bëra njofton se është bërë shpallja në kërkim e Ismail Deshukës dhe Alfred Skonjës. Hetuesit pohuan se ky grup dyshohet se ka kryer edhe grabitje të tjera në rrethin e Durrësit. Ata pohuan se janë shtatë raste me thyerje kasafortash që janë vjedhur me të njëjtën metodë.
Por pasditen e djeshme është bërë i mundur edhe arrestimi i personit të tretë të dyshuar si pjesëmarrës në këtë grabitje. Prangosja e Ergyst Voglit është kryer pasi ky i fundit është tradhtuar nga telefoni celular. Hetuesit kanë vënë në përgjim numrin dhe pak minuta më vonë kanë lokalizuar vendndodhjen e 21-vjeçarit. Ai sapo kishte hyrë në banesë kur ka parë uniformat blu që t'i hedhin prangat.