E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Tirana krenaria jonë më e madhe, marrim 20 mandate

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se Tirana pritet të japë 19 deri në 20 mandate për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë fjalës së tij në takimin përmbyllës elektoral në Tiranë, Rama theksoi se, sipas të dhënave nga sondazhet dhe terreni, PS-ja është në rritje në kryeqytet, duke kaluar nga 18, në 19 ose 20 mandate.

“Po Tiranën e lënduar nga ngjarja e fundit, e harrova vallë që nuk e rendita në listën e qarqeve me mandatet e tyre? Nuk e harrova, natyrisht! Po pse atëherë e lashë jashtë listës së mësipërme? Ndërkohë brenda nesh, debati lidhur me sondazhet dhe të dhënat nga terreni është se në Tiranë ne do të marrim një apo dy mandate plus, duke shkuar nga 18 në 20 mandate”, tha Rama.

Ai shtoi se për Partinë Socialiste, Tirana është simbol i suksesit të reformave dhe i transformimit europian të vendit.

“Nuk e harrova, por e lashë vetë, sepse Tirana ha bukë veç, është jo vetëm kryeqyteti dhe qarku më i madh i Shqipërisë me shumë diferencë, por Tirana është krenaria jonë më e madhe, jo thjeshtë si qytetar të saj, por si shpëtimtarët e transformuesit e saj që i kemi dhënë këtij qyteti dikur të mbytur në llumin e “kënetës” sharmin e pamohueshëm të Europës”, deklaroi Rama.

“Tiranë e madhe dhe e bukur, mos u mendo më, por bëhu të dielën lokomotiva e fuqishme e këtij misioni për ty, për ne, për Shqipërinë dhe nxirr nga dora jote 20 mandate për majën e 2030 në BE!”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se PS nuk është partia më e madhe e Shqipërisë por është forca më e madhe e shqiptarëve.

“Qofshin të bekuar të gjithë fëmijët e Tiranës dhe Shqipërisë, të prindërve me të gjitha bindjet politike dhe qofshin prindërit e tyre të vetëdijshëm se 11 maji është në radhë të parë i fëmijëve të tyre!”, tha Rama.

Partia Socialiste mbylli sot fushatën elektorale në kryeqytet, ndërsa zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 11 maj.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›