Rama: Tiranën e kemi fituar, s`do lejojmë të cënohet vota
“Tiranën e kemi fituar, thjesht ndjekim me qetësi përpjekjen e dëshpëruar të atyre që nuk pranojnë faktin që qytetarët i votojnë kundër”.
Kështu është shprehur kryetari i PS-së Edi Rama ndërsa ka prezantuar fituesin për komunën e Shëngjinit Salvador Kaçaj.
Duke u shprehur optimist për fitore, Rama theksoi se nuk do të lejohet të cënohet asnjë votë që shqiptarët kanë adresuar në kuti si shprehje e vullneti të tyre sovran.
“Për çdo parti sado të vogël porosia jonë ka qënë të respektohet çdo votë e kujdo qoftë pasi tek vota qëndron themeli i bashkëjetësës tonë.Ne e kemi përjertuar se çfarë do të thotë cënimi i këtij themeli pas prekjes së votës 2 vjet më parë” theksoi Rama.
Më tej Rama i bëri thirrje qytetarëve të ndjekin me qetësi procesin e numërimit të votave pavarësisht zvarritjes që po i bëhet. Sipas tij PS-ja është në kontroll të situatës si brenda ashtu edhe jashtë QV-ve megjithë orvajtjeve që po i bëhet duke përfshirë edhe përfaqësues të policisë së shtetit.
Gjithashtu Rama duke iu referuar numërimit të votave theksoi se zvarritja e procesit është ajo që mund t`u ofrojë shqiptarëve ky pushtet i cili sipas tij nuk garanton dot një proces të qetë me garanci dhe siguri për çdo administrator të këtij procesi.