E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Transparencë ose kaloni mbi trupat tanë

11/05/2010 Lidershipi socialist zbardh skenarin e datës 14 maj

“Ne jo vetëm nuk tërhiqemi, por nuk qëndrojmë as në vend”

Si çdo pasdite, Partia Socialiste mblodhi dje simpatizantët e saj në sheshin përpara Kryeministrisë për të protestuar kundër qeverisë “Berisha”, por njëkohësisht duke mbështetur edhe grevistët e urisë, të cilët kanë hyrë në ditën e 11 të sakrificës së tyre. Por ndryshe nga protestat e organizuara gjatë gjithë këtyre ditëve, të cilat startuan më 30 prill, në manifestimin e djeshëm mesazhet ishin të ashpra dhe kërcënuese. “Të premten do t’u tregojmë se çfarë do të thotë se vetëm në trupat tanë do të mund të kalojnë, nëse do të instalojnë këtu regjimin e frikës dhe të votës së vjedhur”, - vuri në dukje kreu i PS-së Edi Rama përpara protestuesve. Po në këtë linjë, kryetari socialist përçoi qartë qëndrimin në vijim të kampit opozitar. “Ejani këtu edhe më të shumtë për të çuar edhe një shkallë më tutje këtë protestë, që do të përshkallëzohet, se ne jo vetëm nuk tërhiqemi, por nuk qëndrojmë as në vend. Kush kujton se do të na zmbraps, është vetëm një i trembur. Kur kërcënimi shtrihet mbi një popull, është koha kur populli e vendos përfund kërcënimin”, - theksoi Rama. Sipas tij, janë dy javë rezistencë në instancën më sublime dhe nëse do të jenë dy javë shurdhëri, do të jetë dita e një përshkallëzimi të ri. “Ne po mbjellim lulen e lirisë dhe po e mbjellim si evropianë, po e bëjmë këtë protestë për të ndërtuar dhe jo për të shkatërruar. Trupat tanë janë më të fortë se kurrë, janë më të fortë se çdo forcë e shprehur, ashtu siç i takon një opozite evropiane. Mos mendoni se forca e arsyes është më e dobët sesa e arsyeja e forcës. Mos mendoni se asnjë lule nuk është këputur në Shqipëri në këtë protestë”, - u shpreh Rama. Ndërkohë kreu socialist iu kundërpërgjigj dhe letrës së hapur të mjekëve dhe artistëve që janë radhitur kundër grevës së urisë. “Kurrë nuk do të lejojmë që të vijë tirania e shoqatave që mbledhin firma dhe firmat që kthehen në dëshmi të rreme. Për sa kohë nuk jemi në ato kushte, për aq kohë secili ta bëjë zgjedhjen e vet. Ne kemi bërë zgjedhjen e vështirë, por mos kini kurajën për të thënë se jemi të gjithë njësoj. Nuk jemi njësoj ne që po luftojmë për liri dhe të drejta”, - deklaroi Rama gjatë fjalës së tij.

Mesazhi nga PASOK-u

“PASOK-u dëshiron të shprehë solidaritetin e tij me anëtarët e Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilët janë në grevë urie për të kërkuar transparencën dhe ndershmërinë në të gjitha zgjedhjet e ardhshme. PASOK-u i bën thirrje qeverisë shqiptare të dëgjojë zërat dhe shqetësimet e opozitës dhe të veprojë në mënyrë konstruktive pa humbur më kohë. Që në fillim të krizës politike aktuale në Shqipëri PASOK-u ka mbështetur përpjekjet e PS-së për transparencë të plotë dhe mirëqeverisje.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›