Rama: Tryeza e Iftarit e hapur edhe për jo besimtarët

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sot drejtpërdrejtë pyetjeve të adresuara në platformat sociale.
Duke iu përgjigjur një qytetari, i cili kërkoi hapjen e ndonjë fabrike ku të punojë rinia, Rama u shpreh se para pak ditësh ishte në një fabrikë.
“Kush e pa, pa që ishte një superfabrikë dhe në atë fabrikë kishte plotë fabrika të tjera rrotull. Kështu që kush do një punë në Shqipëri, e gjen dhe kush do të punojë punon. Kjo është pak, por është e sigurt fare.”
Një tjetër qytetari që i shkroi se nuk ka bukë dhe rrugë makinash, Rama iu përgjigj se, “si shpjegohet që në një vend që s’ka bukë dhe s’ka rrugë makinash dhe që është si në mesjetë, vijnë 12 milionë turistë, apo kjo nuk shpjegohet”.
I pyetur për shtrimin e darkës së Iftarit, Rama u shpreh se, “Iftari në këndvështrimin tim ka një vlerë shumë të madhe përtej ritit dhe përtej impaktit për të cilin e bëjnë Iftarin besimtarët. Tryeza e Iftarit është një tryezë e hapur për të gjithë edhe për jo besimtarët. Kjo është vlera sipas meje më e madhe emancipuese, kulturore e bashkëjetesës që sjell tryeza e Iftarit dhe do të ishte hipokrizi, besoj unë, e kundërta”.
“Ndërkohë që për sa i përket atyre që janë më të varfër ka plot programe që ne bëjmë dhe zbatojmë dhe kur vjen puna tek ndihma për të varfrit, tek mbështetja për të varfrit dhe në nivelin e këtyre lloj aktiviteteve siç është një Iftar për shembull, unë them që bëhet pa media, bëhet pa televizor, bëhet pa publicitet”, theksoi Rama.
Ndërkohë, shtoi Rama, “Iftari tanimë tradicional i Kryeministrisë ka një tjetër qasje dhe ka një tjetër shënjestrim për sa i përket gjithë njerëzve që ftohen aty”.
/r.e//a.f/