E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e BE-së, Bildt: Shqipëria po përmbush kriteret e vizave



Presidenca Suedia e BE-së vlerëson progresin e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave si dhe për hapat e bërë në drejtim të integrimit evropian. Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bild, shprehu dje mbështetjen e plotë të Suedisë për të dyja këto procese, duke theksuar se Suedia mbështet heqjen e vizave për shqiptarët dhe integrimin e plotë të saj në BE. Gjatë pjesëmarrjes në ministerialin e OSBE-së që po zhvillohet në Athinë, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u takua gjithashtu edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, z. Carl Bildt, gjatë Këshillit Ministerial të OSBE-së që po zhvillohet në Athinë. Gjatë pjesëmarrjes në ministerialin e OSBE që po zhvillohet në Athinë, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, zhvilloi një takim të veçantë me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, z. Carl Bildt, vendi i të cilit mban Presidencën aktuale të Bashkimit Evropian. Gjatë takimit u diskutua për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe në liberalizimin e vizave si dhe për marrëdhëniet dypalëshe dhe politikën e saj rajonale. Z. Meta shprehu vlerësimin e qeverisë shqiptare për angazhimin e suksesshëm të Presidencës suedeze në avancimin e axhendës së integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti për mbështetjen suedeze për miratimin e aplikimit të Shqipërisë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së. Gjithashtu, z. Meta shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë në kohë dhe me efikasitet të plotë të gjitha reformat që kërkon procesi i integrimit në BE. Nga ana e tij, z. Bildt vlerësoi përqasjen konstruktive të politikës së jashtme shqiptare në rajon dhe u shpreh se Shqipëria është një faktor stabiliteti në Ballkan. Po dje, z. Meta zhvilloi një takim të veçantë me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, z. Sergei Lavrov. Gjatë këtij takimi u shkëmbyen mendime për zhvillimet në rajon dhe u diskutua për të ardhmen e tij. Gjithashtu z. Meta dhe z. Lavrov diskutuan për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në nivel dypalësh dhe për realizimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme në fusha me interes reciprok. Dy bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen për shkëmbimin e mendimeve edhe në organizatat ndërkombëtare, ku të dy vendet janë anëtare. Në Athinë po dje ministri i Punëve të Jashtme u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, z. Joao Soares, dhe me Drejtorin e ODHIR-it, z. Janez Lenarcic. Nga ana e përfaqësuesve të OSBE-së u mirëpritën hapat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për të risjellë opozitën brenda institucionit të Parlamentit si dhe u vlerësua gatishmëria e saj për t’i ofruar opozitës shumicën dhe kryesimin e Komisionit Hetimor Parlamentar si dhe një rol drejtues në procesin e reformës zgjedhore. Z. Meta mbajti dhe një fjalim në takimin e 17-të të Këshillit Ministror të OSBE-së, ku i njohu të pranishmit me reformat integruese të vendit dhe hapat që po ndjek qeveria për rikthimin e opozitës në Kuvend. “Gjatë këtij viti, Shqipëria ka shënuar arritje të rëndësishme që janë “gurë kilometrikë” në procesin e saj të integrimit euroatlantik; jo më pak e rëndësishme ishte dhe organizimi i zgjedhjeve parlamentare të muajit qershor, të cilat përmbushën shumicën e standardeve të OSBE-së. Si rrjedhojë e votës popullore, Shqipëria tani qeveriset nga një koalicion partish, të cilat janë tejet të përkushtuara dhe po punojnë shumë për të jetësuar aspiratën e gjatë të popullit shqiptar e në mënyrë të veçantë, integrimin në BE”, - tha z. Meta. Ai informoi se “në këto përpjekje, qeveria e tanishme do të mbështetet në zhvillimet inkurajuese në stadin e tanishëm të marrëdhënieve të saj me BE-në që rezulton pas kërkesës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe vendimit më të fundit të Këshillit për të kërkuar opinionin e Komisionit Evropian mbi gatishmërinë e Shqipërisë për t’u bërë vend kandidat. Shqipëria e vlerëson këtë vendim dhe po bën përgatitjet e duhura për të realizuar hapat e mëtejshëm në këtë proces, që ne presim ta kthejë Shqipërinë në një vend kandidat për në BE, brenda afatit më të shpejtë të mundshëm kohor”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›