E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ushtria ka degraduar. Ngjela do jetë në qeveri. Do marrim deri në 80 deputetë

rama-interviste-zyre-tch

(E PERDITESUAR)- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka komentuar shkarkimin e tre gjeneralëve gjatë një bashkëbisedimi që ka pasur me gazetarët.

Sipas Ramës, Ministria e Mbrojtjes është kthyer në një çerdhe korrupsioni. Kreu i PS akuzoi presidentin se është kthyer në një kadet të kryeministrit Sali Berisha.

Unë kam ndjekur me vëmendje gjithçka që gjeneralët kanë shprehur dhe kam mundur të lexoj çfarë ata kanë bërë me dije para lirimit dhe pas lirimit dhe tragjikisht në çdo vend tjetër normal të NATO-s kjo do të ishte krejtësisht e pakonceptueshme. Një lirim brutal në vazhdën e rrënimit të ushtrisë dhe të ndarjes mes misionit strategjik të FA-së dhe funksionit të një grushti njerëzish në kupolën e Ministrisë së Mbrojtjes, nga ministri dhe shefi i shtabit që e kanë braktisur detyrën dhe kanë braktisur të gjitha arsyet se përse ekziston Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, tha Rama.

Pa llogaritur faktin që pas hyrjes në NATO ska pasur asnjë rifreskim në funksion të pozicionit të ri, pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës ska pasur asnjë reflektim si duhet të ndodhte në arkitekturën e ngrehinës ligjore të këtij institucioni, vijoi Rama.

Rama ka shprehur solidaritetin me 3 gjeneralët e liruar sipas tij brutalisht nga presidenti, ndërsa nënvizoi se është i domosdoshëm që të gjithë njerëzit të kuptojnë se ekziston problemi i degradimit të Forcave tona të Armatosura.

I pyetur në lidhje me zërat për Metën kryeministër, Rama ka përsëritur sërish se kryeministri pas zgjedhjeve të 23 qershorit do të zgjidhet në sajë të vullnetit të popullit.

Kryetari i PS deklaroi se koalicioni i majtë do të marrë deri në 80 deputetë.

Ne jemi një koalicion i madh, jemi mbështetur në boshtin PS-LSI. Jemi një fuqi e unifikuar e qendrës së majtë por jemi dy parti dhe sigurisht fushata është sa e përbashkët aq edhe e përveçme. Dhe në këtë fushatë ka një përpjekje të natyrshme për të marrë maksimalen e mbështetjes. Këto nuk kanë lidhje pas 23 qershorit kur do të formohet qeveria. Nuk kemi asnjë lloj divergjence në principin se qeveria do të ndërtohet mbi vullnetin e popullit sovran. Ne synojmë fitoren me 77- 80 deputetë. Shqiptarët do të votojnë Aleancën për Shqipërinë europiane sepse kanë shumë arsye që lidhet me votën si instrument për të ndëshkuar keqqeverisjen dhe mundësinë për të ngarkuar opozitën për të formuar qeverinë e re, tha Rama.

Rama ka komentuar edhe deklaratën e kreut të PLD, Spartak Ngjela, që thotë se do jetë në kabinetin e ardhshëm nëse Rama fiton zgjedhjet.

Sipas Ramës me Ngjelën ekziston një marrëveshje shumë të thjeshtë. Kemi një marrëveshje shumë të thjeshtë e të qartë me avokat Ngjelën, që për gjithë kontributet e tij në fushatën e tanishme dhe gjatë gjithë kohës në opozitë dhe gjithë çka ai mund të vazhdojë të japë për këtë koalicion do të jetë pjesë e administrimit të fitores dhe pjesë e ekzekutivit, tha Rama./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›