E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Velipoja e pastër, fillim i bukur për sezonin që na pret


TIRANË, 12 prill/ATSH/ Në prag të sezonit turistik, mbi 1500 të rinj së bashku me organizata, institucione shtetërore dhe biznese, morën pjesë në një aksion vullnetar për pastrimin e bregdetit të Velipojës, në Shkodër.

Vullnetarët u organizuan në grupe dhe u shpërndanë përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga zona e mbrojtur në derdhjen e Bunës deri te laguna e Vilunit, duke mbuluar çdo segment të plazhit në mënyrë të koordinuar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga aksioni i pastrimit të plazhit, duke e vlerësuar pjesëmarrjen e të rinjve dhe angazhimin komunitar.

“Velipoja e pastër është një fillim i bukur për sezonin që na pret. Super aksion, super rini, super angazhim”, shprehet Rama.

Velipoja me ujërat e saj kristal dhe rërën e pastër, mbetet një nga perlave natyrore të Shqipërisë.

Ky plazh i gjatë 14 km dhe i gjerë rreth 300 metra rreth 30 km larg Shkodrës kombinon detin, pyjet, lagunat dhe malet, duke krijuar një peizazh unik.

Plazhi ofron jo vetëm bukuri natyrore, por edhe mundësi për peshkim dhe gjueti, duke e bërë çdo vizitë të veçantë.

Në vitet e fundit, zona është zhvilluar me hotele dhe shtëpi luksoze, duke e kthyer Velipojën në një destinacion modern pushimi për turistët./a.gj/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›