Rama: Vizioni i tyre, shkatërrues për Shqipërinë

Foto ilustruse nga tryezat e PS-se
TIRANE- Partia Socialiste ka thirrur sot tryezën e saj të rradhës ku po të paraqitet Plani i Përgjithshëm Kombëtar.
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh se qeveria e sotme nuk ka asnjë plan zhvillimi të bazuar në një model të qëndrueshëm ekonomik, ndërsa solli në vëmendje parashikimet, siç tha ai, të zymta, të Fondit Monetar Ndërkombëtar për ekonominë shqiptare.
Duke folur në tryezën e PS-së për Planin e Përgjithshëm Kombëtar, Rama tha se mohimi që qeveria i bëri krizës, në funksion të propagandës së vet politike ka sjellë sot vendin në këtë rezultat.
Qeveria e sotme gjithashtu flet për një vizion, tha Rama, por sipas tij, ata flasin për një vizion, por flasin për një vizion që fatkeqësisht është rrënues për Shqipërinë dhe për potencialet e saj, një vizion me një kosto marramendëse për brezin e ri.
Zhvillimi i këtyre 20 viteve është një zhvillim që në raport me atë që ka konsumuar me potencialet e zhvillimit të vendit, me atë që ka sjellë për vendin, është në proporcion të zhdrejtë. Për më tepër konsumi deri në barbari i këtyre potencialeve, i burimeve të pasurisë dhe pasurimit të vendit dhe i kohës së vendit, nuk është shoqëruar në një realitet që mund ta konsiderojmë të zgjidhur, përkundrazi ka sjellë në jetën tonë një realitet ku zhvillimi i qëndrueshëm i vendit është i kërcënuar si model. Është shumë më i vështirë se çishte 10 vite më parë, dhe më i kushtueshëm.- tha Rama.
Rama shtoi se, me instrumentat që kemi sot në dispozicion është shumë i vështirë realizimi i një plani zhvillimi kombëtar, por ai tha se, kjo do të bëhet brenda 2 viteve të mandatit socialist.
Në një njoftim të mëhershëm në Twitter, kreu socialist, Edi Rama shkruante ndër të tjera se, tryeza e programit për Planin e Përgjithshëm Kombetar; Sfidë e humbur e 20 vjeteve, angazhimi yne programatik.
Fjalën hapëse e mbajti deputeti Eduard Shalsi, i cili bëri një prezantim të programit të PS-së për zhvillimin kombëtar, pjese e programit për një Rilindje Shqiptare
Shalsi foli për një marrëdhënie të re të qytetarëve me shtetin, mjedisin dhe të shqiptarit me shqiptarin, ku sipas tij, gjithsecili të kujdeset për gjithsecilin.