E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Vlora do të ketë portin më të bukur të jahteve në Mesdhe

TIRANË, 8 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, deklaroi sot se Vlora në vitet që vijnë do të ketë një nga portet më të bukur të jahteve në Mesdhe.

Në takimin përmbyllës elektoral, Rama tha se, porti i Vlorës do të shndërrohet në një port turistik, ndërsa Triporti do të jetë një port serioz për anijet e mallrave dhe ato të peshkimit, të cilat do të kenë strehën e tyre dinjitoze, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Ai u ndal dhe te sektori i turizmit, ku vuri në dukje se ka filluar të ngrihet zinxhiri i ri i hoteleve.

Kryeministri theksoi se turizmi do të zhvillohet duke u fokusuar tek hotelet dhe jo apartamentet apo vilat.

Ai shtoi se në këto pesë vitet e ardhshme, Vlora do të kthehet në një destinacion të njohur turistik, me firma të njohura hotelerie që do të hapin dyert e tyre.

“Bregdeti i Vlorës do të bëhet një nga destinacionet më të kërkuara në Mesdhe, dhe ky qark do të ketë një “gjerdan” me emra prestigjiozë, që do të tërheqin turistë nga e gjithë bota”, tha ai.

Rama kujtoi se Vlora përpara disa viteve ishte një qytet që jetonte, por nuk ishte një destinacion i plotë turistik.

Kjo, sipas tij, ka ndryshuar falë realizimit të projektit të Lungomares dhe investimeve të tjera infrastrukturore.

Ai informoi se në të ardhmen, një rivitalizim i ngjashëm do të ndodhë dhe në anën tjetër të Gjirit të Vlorës, në Radhimë, duke bërë që I gjithë bregu të ketë rrugën dhe trotuarin e vet për këmbësorët.

“Vlora do të ketë Lungomaren më të gjatë në Mesdhe, me një distancë të konsiderueshme që do të ofrojë mundësi për këmbësorët”, theksoi ai.

Po ashtu, zhvillimi i agroturizmit dhe agropërpunimit është një tjetër aspekt që do të kontribuojë, tha Rama, në zhvillimin e këtij rajoni, duke u krijuar mundësi për një jetë të re në territoret e Lumit të Vlorës.

/a.f/R.E/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›