E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Do të rikthejmë rininë dhe do t’i japim zgjidhje përfundimtare çështjes së pronave

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot takimin përmbyllës të fushatës elektorale për PD-ASHM në Shkodër.

Në fjalën e tij Berisha garantoi pronarët se brenda 4 viteve do marrë zgjidhje përfundimtare problemi i pronave.

Gjithashtu kreu i PD garantoi të përndjekurit politikë se dëmshpërblimi i tyre dhe kompensimi merr fund brenda 4 viteve që vijnë.

Sikundër, shtoi ai, “rritjet e rrogave dhe pensioneve vazhdojnë gjersa ne të dalim përsëri në krye të vendeve të rajonit për rroga dhe pensione”.

Berisha theksoi se, këto realizohen në 100 ditë. Por, shtoi ai, “diçka tjetër më thelbësore, ajo nuk realizohet dot në 100 ditë. Por ajo duhet të jetë beteja e jetës tonë. Beteja e jetës tonë do jetë që ky komb të vijë përsëri në moshën e rinisë”.

“Fati ynë, ekzistenca jonë do varet nëse ne do e sjellim prapë kombin në moshën e rinisë së tij apo do ta lëmë të plaket gjer në zhdukje. Kurrë nuk do e pranojmë alternativën e  dytë”, tha Berisha, ndaj shtoi ai, “do fillojmë, për fëmijën e parë, bonusi 70 euro, për fëmijën e dytë, 60 euro, për fëmijën e tretë, pagesë e çdo shpenzimi nga lindja gjer 23 vjeç. Për fëmijën e katërt, të njëjtën gjë”.

“Do bëjmë çdo gjë që ata qindra e mijëra vajza dhe djem që u larguan nga Shqipëria të kthehen në Shkodër dhe Shqipëri. Pesë vite pa asnjë taksë. Grante, kredi për bizneset e tyre. Kredi të buta për strehimin e tyre”, theksoi Berisha.

“Nuk ka mision më të shenjtë për ne se sa të sjellim kombin në moshën e rinisë. Ndaj dhe ne zero tolerancë analfabetizmit”, u shpreh Berisha.

Berisha gjithashtu shtoi se, “në vitin 2006, e shihja që kishim rënë shumë në kalimin e nxënësve nga shkolla 9-vjeçare në të mesme dhe disa herë menduam që ta bëjmë të detyrueshëm arsimin e mesëm. Vetëm të mira. Ndaj u garantoj se me këtë rënie ndoshta do vendosim arsim të mesëm të detyrueshëm për të gjithë. Nuk do ketë mesatare për të përjashtuar nga universitetet të rinjtë. Dyert e universiteteve do jenë të hapura. Përveç kësaj, çdo student që studion jashtë rrethit të tij, do ketë bursën 200 euro. Çdo i ri që ndjek shkollë të mesme profesionale jashtë rrethit të tij do ketë bursën 200 euro. Universitetet do të jenë në partneritet të plotë me sipërmarrjet”.

Berisha theksoi se duhet një pakt kombëtar për rininë.

“Ne duhet të kemi një pakt kombëtar që të bëjmë gjithçka për të mbështetur të rinjtë. Në këtë aspekt një fond 10 milionë euro vetëm për sipërmarrjet e tyre.

Një çati çdo çifti të ri ia kemi borxh dhe do ia japim. Ne do i japim 30 mijë euro grant që të paguajë interesat e kredisë. Të rinjtë kanë talentet e tyre. Një fond i veçantë, fillimisht 5 milionë euro, për të mbështetur talentin e tyre. Pra, ata që sot janë uji i pakët për ne, ata duhet të jenë gjaku, jeta, gëzimi, e sotmja dhe e ardhmja e këtij vendi dhe unë u jap fjalën se kjo do ndodhë. Këtë do e bëjmë së bashku”, theksoi Berisha.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›